Zonat e Mbrojtura, të rinjtë do mbjellin pyllin e tyre

60

TIRANË,9 nëntor /ATSH-A.ALLA/ “Çdo ndërmarrje investimi që prek një pemë sipas ligjit shqiptar duhet të mbjellë tre pemë të tjera. Nesër unë do jem në zonën e Patosit ku do mbjellim disa mijëra pemë me të rinjtë e qytetit në zbatim të detyrimit që kanë kompanitë e naftës të asaj zone për të rehabilituar zonat mjedisore. ‘Krijo oksigjenin tonë’ nuk është një politikë e cila mund të realizohet vetëm nga operacionet duhet të kemi më shumë shoqëri të përfshirë në operacionin e mbjelljes së pemëve”, – tha Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese të Kuvendit.

”Viti nëntor-prill i 2018-2019 do jetë për ne një moment për të shndërruar Shqipërinë në një shoqëri që do natyrën dhe nëse ne realizojmë projektin me Ministrinë e Arsimit, ku çdo zonë e mbrojtur të ketë një zonë të caktuar ku të rinjtë të krijojnë pyllin e tyre ne mund t’ia dalim të krijojmë zona kreative shumë të mira. Pasi mbjellja e pemëve nuk është dekorative, por mbjellje e pemëve të cilat mbrojnë nga erozioni, pemë të cilat prodhojnë ekonomi që ndihmojnë drejt për drejt familjet rurale të vendit tonë”, – tha Klosi.

”Parku i Fierit është një park shumë i bukur dhe ne e kemi projektin me bashkinë e Fierit pasi ky park hyn në zonën e mbrojtur nga institucioni kombëtar i zonave të mbrojtura. Kemi dakordësinë me bashkitë e zonave të mbrojtura që ky të jetë një park rekreativ për qytetin”, përfundoi ministri Blendi Klosi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.