Shqipëria dhe Maqedonia, të gjitha mundësitë të çelin negociatat në 2019

38

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ “Unë besoj se Shqipëria dhe Maqedonia i kanë të gjitha mundësitë t’i çelin negociatat e anëtarësimit vitin e ardhshëm, dhe duhet të përqendrojmë akoma edhe më mirë të gjithë energjitë në zbatimin e reformave kyçe”.

Kështu deklaroi sot Presidenti Ilir Meta, i cili mori pjesë sot në Forumin “Tirana Connectivity” të organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Fondacionet gjermane “Konrad Adenauer”, “Friedrich Ebert” dhe “Hanns Seidel”.

Meta shprehu besimin se “me ruajtjen e fokusit mbi objektivat strategjike dhe mbi axhendat e reformave, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i ka të gjitha mundësitë të avancojë më shpejt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian”.

Meta nënvizoi faktin se Procesi i Berlinit është konceptuar si një mekanizëm përshpejtues i procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Zgjerimi i BE-së dhe NATO-s në rajonin tonë, sipas Metës, mbeten projekte të pazëvendësueshme strategjike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

“‘Frika nga zgjerimi’”, apo debati ‘thellim apo zgjerim’ kanë bashkëjetuar në të gjithë historinë e ekzistencës së Bashkimit Europian, por nuk janë bërë kurrë pengesë për zgjerimin e kufirit europian. Zgjerimi ka ndodhur, madje me vende që kanë popullsi shumëfish më të lartë se shumatorja e të gjithë Ballkanit Perëndimor së bashku”, – shtoi ai.

Ndaj, sipas Presidentit, ky debat nuk fitohet as me kërcënime, as me mohime. “Zgjerimi do të ndodhë kur vendet tona të jenë gati. Të zbatojnë reforma të guximshme dhe të vërteta, dhe të korrin rezultate bindëse, për qytetarët në radhë të parë, dhe për vendet anëtare që na mbështesin si partnerë në këtë proces”, – tha Rama.

Po ashtu, Presidenti vlerësoi se “ndërthurja e Axhendës së Berlinit, si axhendë që zhvillon ndërlidhjen dhe ndërveprimin më efikas mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor me Axhendën e Zgjerimit të Bashkimit Europian është qasje konstruktive dhe e dobishme e Bashkimit Europian”.

“Së pari, Procesi i Berlinit dëshmon për vëmendjen dhe angazhimin e posaçëm politik që Bashkimi Europian i kushton rajonit tonë. Samitet e Berlinit, Vjenës, Parisit, Triestes dhe Londrës janë dëshmi domethënëse e kësaj vëmendjeje. Gjeografia e këtyre Samiteve flet qartë për angazhimin dhe interesin e aktorëve të mëdhenj të Bashkimit Europian, që bartin dhe një histori të përfshirjes së tyre strategjike në Ballkan”, – tha ai.

Meta vlerësoi edhe faktin se “Axhenda e Berlinit gërsheton projektet strategjike rajonale me mekanizmat financiarë ndërkombëtarë që mundësojnë zbatimin e tyre”. “Projektet ambicioze me pronësi rajonale nuk mungojnë. Zona ekonomike rajonale, Korridori Blu, projektet e infrastrukturës energjetike, Zyra Rajonale Rinore, janë tashmë aty”, – tha ai. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.