Shkodër, muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” me imazh të ri

79

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/- “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër, i pari muze i ndërtuar në Shqipëri për të përkujtuar torturat e regjimit komunist në vend, krejtësisht me një imazh të ri.

Bashkia e Shkodrës ka bërë të mundur ndriçimin e fasadës së jashtme të këtij muzeu, me një stil dhe imazh të kuruar nga specialistë të fushës.

Ky muze, me një pamje tjetër, bëhet i aksesueshëm për turistët edhe gjatë orëve të mbrëmjes, ku në dritaret e tij janë imazhet e emrave më të mëdhenj të Shkodrës dhe Shqipërisë, të cilët vuajtën diktaturën e egër komuniste në ish burgun famëkeq të Shkodrës.

Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës” është i pari Vend Kujtese Historike i cili përkujton viktimat që vuajtën dënimin në burgjet e regjimit komunist.

Në ndërtesën e rikonceptuar si një memorial i periudhës së diktaturës komuniste pjesa më kulmore janë qelitë origjinale të paraburgimit (të quajtura nga vetë të dënuarit biruca për përmasat e tyre shumë të vogla dhe dritën e pakët).

Në fund të hapësirës së qelive ndodhet edhe dhoma e torturave ku shpesh të burgosurit ishin të detyruar të asistonin në tortura fizike e morale që ushtroheshin mbi njërin prej tyre. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.