Protesta e banorëve, Basha: Nuk ka ligj për shembjen e shtëpive

49

TIRANË,8 nëntor /ATSH- I. Vata/ – “Nuk ka asnjë ligj, asnjë akt për shembjen e ndërtesave të banorëve, e vetmja gjë e ligjshme është protesta e qytetarëve”, – deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha në takim me banorë e Unazës së Re, ndërsa bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë.

Në një komunikim për mediat, Basha tha se është fati i mbi 2000 banorëve, 300-400 familjeve që e keqja u ka trokitur në derë.

“E kam ndjekur që ditën e parë dhe jam ndjerë i tronditur, por jo aq sa mësova sot nga drama e këtyre familjes që mund ta merrni nga çdo banor, por mund ta merrni nga Klevisi një djalë 12 vjeç që është kthyer në një zëdhënës spontan të kësaj drame të mijëra qytetarëve që po persekutohen dhe vihen në një presion të tmerrshëm psikologjik për shembjen e ndërtesave të tyre”, – tha ai.

Basha theksoi se nuk ka ligj për shembjen e shtëpive, por kanë çuar lajmërim dhe ju kanë venë kryqe te dera për t’u shembur shtëpitë.

“Nuk ka asnjë ligj apo akt që t’u jetë komunikuar familjeve, t’u jetë dhënë kohë e mjaftueshme, të jetë përgatitur dokumentacioni për shpronësim, t’u jetë dhënë shpronësimi, t’u jepet kohë për të gjetur një banesë tjetër. Familje të tëra janë në presion psikologjik dhe kjo është dëshmia ku është katandisur shteti, ku është katandisur kushtetuta”, – tha kreu i PD./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.