Nxitje emigrantëve të investojnë në agroturizëm

90

TIRANË, 9 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ftoi sot emigrantët që të investojnë në zonat me potencial për zhvillimin e agroturizmit.

Në një takim me banorët e Sarandës, Kryeministri u ndal te mundësitë që ofrojnë zonat përreth për zhvillimin e agroturizmit.

“Është me rëndësi të theksohet se përtej turizmit Saranda ka një komponent shumë të rëndësishëm si zonë e zhvillimit rural, me një bujqësi që rritet intensivisht nga Saranda deri në Konispol”, – tha Rama.

Duke iu referuar programit të mbështetjes për bujqësinë, Rama theksoi se “do të bëjmë çmos që të përfitojnë sa më shumë fermerë, duke i asistuar dhe mbështetur deri në fund të procesit”.

“Edhe programin i agroturizmit, në këtë zonë duhet të jetë një mekanizëm i rëndësishëm sepse për shumë vizitorë vendas e të huaj që vijnë në Sarandë është shumë tërheqëse dhe do të ishte vlerë e shtuar në ekonominë familjare e lokale, që të vizitojnë edhe zona më të thella. Ata mund të shikojnë territore të kultivuara bujqësore, por edhe të përfitojnë nga mikpritja në struktura agroturistike, ku familjet mund të kthejnë shtëpitë në një hotel të vogël agroturistik”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se këto zona përbëjnë edhe një potencial të madh për investimet e atyre që janë në emigracion.

“Agroturizmi ka impakt në ekonominë bujqësore e rurale në të gjitha vendet e zhvilluara, ndaj ne nxisim emigrantët të investojnë në shtëpitë e tyre për agroturizmin dhe i sigurojmë se do të kenë të ardhura shumë më të mëdha se sa nga emigracioni”, – tha Rama.

Në përfundim, Kryeministri nënvizoi rëndësinë e ripërtëritjes në vazhdimësi të PS-së. “Të ftojmë njerëz të rinj të të gjitha moshave që dëshirojnë të bëhen pjesë e PS-së dhe të përqendrohemi maksimalisht te problemet e njerëzve”, – ishte apeli i Kryeministrit Rama nga Saranda. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.