Nxitje e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Rumanisë

84

Shqipëri-Rumani, zhvillohet Sesioni i 9-të i Komisionit të Përbashkët Ndër-Qeveritar për Bashkëpunim Ekonomik, Shkencor dhe Teknik

TIRANË, 9 nëntor /ATSH/- Komisioni i Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunim Ekonomik, Shkencor dhe Teknik mes Shqipërisë dhe Rumanisë zhvilloi të premten në Tiranë, punimet e Sesionit të tij të 9-të.

Për palën shqiptare ky Komision kryesohet nga zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë,  Albana Shkurta, ndërsa për palën rumune nga Gabriela Mihaela Voicilă, Sekretare e Shtetit në Ministrinë e Mjedisit të Biznesit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Rumanisë.

Në përfundim të punimeve të Sesionit, dy bashkëkryetaret dolën në një deklaratë për mediat, ku vunë theksin në thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve në sektorë të ndryshëm me interes reciprok.

Zv.ministrja Albana Shkurta theksoi se disa nga fushat ku të dyja palët dakordësuan të vendosin në axhendat e bashëpunimit në vijim janë; turizmi, transporti, energjia bujqësia, mjedisi, komunikimi dhe fusha e teknologjisë së informacionit.

Gjithashtu, ajo informoi se gjatë ditës së sotme u zhvillua një Forum Biznesi mes bizneseve nga Rumania dhe atyre shqiptare, si një mundësi shumë e mirë për të bashkëvepruar dhe diskutuar së bashku mbi sfidat aktuale për ndërtimin e partneriteteve, intensifikimin e mundësive të reja dhe bashkëpunimet tregtare.

Nga ana e saj, Gabriela Mihaela Voicilă vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rumanisë, sidomos ato ekonomike, kanë mundësi të jenë akoma më të mira dhe se bashkërisht duhet të mbështeten prodhuesit e të dyja vendeve, në mënyrë që të rritet eksporti nga Rumania në në Shqipëri dhe nga Shqipëria për në Rumani, duke përmendur faktin se Shqipëria ka një bregdet shumë të bukur dhe prodhim bujqësor shumë të mirë. Gjithashtu, ajo përmendi disa nga fushat ku ka mundësi bashkëpunimi, si teknologjia e informacionit apo inovacioni. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.