Minimizimi i klasave kolektive, transport falas për nxënësit

54

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/- Ministria e Arsimit ka parashikuar një rritje buxheti për të mbuluar transportin falas, për minimizimin e funksionimit të klasave kolektive.

“Ne kemi parashikuar rritje për buxhetin për transportin. Kemi 650 milionë. Jemi në diskutim edhe me operatorët edhe me Ministrinë e Transportit për të rishikuar tarifat që lidhen me transportin. Në këtë moment, nuk kemi një përgigje përfundimtare, sepse vazhdojnë negociatat. Ajo që është e rëndësishme është që ne nuk do të mbyllim klasa kolektive pa mundësuar transportin falas të fëmijëve ashtu sikurse transportin falas të fëmijëve të tjerë që lëvizin afro 2 km nga vendbanimi i tyre, këtu kam parasysh edhe mësuesit që lëvizin mbi 5 km nga vendbanimi i tyre”, – u shpreh ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla në prezantimin e pr/buxhetit të 2019.

Më tej, ministrja shpjegoi se “ajo që kemi marrë përsipër është që të minimizojmë funksionimin e klasave kolektive. Pra, fakti që sivjet ne shkuam në 330 klasa kolektive të mbyllura, duke i çuar fëmijët dhe transportuar fëmijët e këtyre klasave, rezultoi sot në një situate të re për fëmijët, për të zhvilluar një proces mësimor të rregullt. Është një proces që do të thellohet dhe kërkon angazhim”.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.