Mbi 3 miliardë lekë investime të huaja në bujqësi gjatë vitit 2019

76

TIRANË, 9 nëntor /ATSH/- Sektori i bujqësisë dhe zhvillimit rural në vendin tonë përfiton gjatë vitit 2019, buxhetin më të lartë financiar për investime të huaja që kapin vlerën e mbi 3 miliardë lekëve.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi u shpreh se, gjatë vitit 2019 janë 3 miliardë e 92 milionë lekë investime të huaja që do të financohen në sektorin e bujqësisë.

Sipas tij, këtu përfshihet kontributi i programit IPARD me një fond prej 94 milionë euro dhe kontributi i programit më të madh të mbështetur nga Banka Botërore në sektorin e ujitjes  me vlerë 23 milionë euro.

“Rritja e financimit të drejtëpërdrejtë për bujqësinë dhe politikat lehtësuese fiskale, synojnë ngritjen në një stad të ri zhvillimi të këtij sektori në vendin tonë”, – tha Pelelshi.

Ky sektor jep rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe sipas statistikave punësimi në bujqësi zë 60-86% të totalit të të punësuarve, në qarqet ku dominon potenciali bujqësor. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.