Brenda pranverës 2019, mbyllen guroret në malin e Krujës

TIRANË,9 nëntor /ATSH A.ALLA/- ”Në gjithë zonën ballore të malit të Krujës ku sot po zhvillohet një pjesë e konsiderueshme e turizmit shqiptar kemi ndjekur 3 aksione shumë të rëndësishme. I pari, është që nuk kemi më aktivitet të furrave të gëlqeres në zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës. Kemi bllokuar dhe mbyllur 33 furra gëlqereje para 6 muajsh ku 9 të tjera ishin krijuar dhe ato i mbyllëm”, – u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2019.

Klosi tha se Policia e Shtetit ka arrestuar një numër të konsiderueshëm të poseduesve të këtyre gropave. “Komuniteti i Krujës dhe i Fushë-Krujës duhet të jenë aleatët tanë që ky fenomen mos të përsëritet më duhet të njoftojnë për këdo rast Inspektoriatin e Mjedisit dhe Policinë e Shtetit ku veprimi i tyre është i menjëhershëm”, – tha Klosi.

”Përsa i përket problematikave të guroreve në malin e Krujës jeni njohur me vendimin e qeverisë së datës 26 korrik 2018 ku zona e malit të Krujës u shpall peizazh i mbrojtur dhe peizazh turistik, që nga ai moment veprimtaria e gjithë guroreve është vënë në monitorim nga dy institucionet tona Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Energjetikës ku nga 16 operatorë që ushtrojnë aktivitetin e tyre, 5 prej të cilave i janë hequr lejet mjedisore dhe po mbyllen një numër konsiderueshëm i këtyre guroreve dhe brenda pranverës së vitit të ardhshëm të gjithë guroret që zhvillojnë aktivitetin në malin e Krujës do largohen nga ajo zonë dhe do kemi fillimin e procesit të rehabilitimit që nga nëntori në zonën e Krasit.
Brenda sezonit të mbjelljeve të këtij viti ne do bëjmë rehabilitimin e plotë të malit të Krujës për ta shëndrruar atë në një zonë të gjelbër dhe zonë turistike”, – përfundoi ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.