Belshi, shembulli i shndërrimit të një gërmadhe në një qytet të rilindur

86

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/- Nuk ka shembull më të mirë se Belshi për të treguar shndërrimin e një gërmadhe në një qytet të vogël të rilindur.

Kështu theksoi sot Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëkohësisht deputet i PS-së në qarkun e Elbasanit.

“Nëse nuk do të kishim prishur ndërtesat që i kishin zënë frymën qendrës së Belshit, kjo zonë nuk do të ishte kjo që është sot, një destinacion i rëndësishëm turistik. Sot patë në media një gjë shumë qesharake. Është një projekt për zgjerimin e unazës së madhe të Tiranës. Në fakt ky projekt është bërë diku nga viti 2010, kur në qeveri ishte Sali Berisha. Më pas është zhvilluar projekti pjesë-pjesë deri në vitin 2012-2013 kur në krye të bashkisë së Tiranës ishte Lulzim Basha”, nënvizoi Balla.

Të gjithë, vijoi ai, e dinë që nëse nuk zgjerohet unaza e Tiranës, nuk e lehtëson kurrë qarkullimin.

“E bukura është se këta që kanë bërë projektin, kanë shkuar tek banorët dhe u thonë, ne nuk jemi për prishjen e këtyre ndërtesave që i kanë zënë frymën rrugës. Sikur të kishim bërë të njëjtën gjë edhe këtu në Belsh, të mos prishnim lokale apo dyqane socialistësh dhe t’ja prishim vetëm këtij demokratit, do të kishim bërë një gabim të madh. Nuk do ta kishim shndërruar Belshin dot në këtë destinacion kaq të bukur turistik”, tha Balla./k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.