BE, 50 milionë euro për hekurudhën Tiranë-Durrës dhe rindërtimin e portit

161

TIRANË, 9 nëntor /ATSH- I. Vata/ – “Në Shqipëri, BE-ja po jep mbi 50 milionë euro për hekurudhën Tiranë-Durrës dhe rindërtimin e portit të Durrësit. Kanë filluar gjithashtu studimet e fizibilitetit për autostradën Adriatik-Jon”, – tha ambasadori i ri i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca në Forumin e 4-të të Ndërlidhjes në Tiranë.

Në fjalën e tij, ambasadori i ri i BE-së në Tiranë, Soreca u shpreh se viti 2018 ka qenë një vit i rëndësishëm për Agjendën e Ndërlidhjes në Evropën Juglindore. Strategjia e Komisionit për Ballkanin Perëndimor dhe Samiti i Ballkanit Perëndimor në Sofje dhe Londër theksuan me forcë rëndësinë e ndërlidhjes dhe bashkëpunimit rajonal për integrimin evropian të rajonit.

Ambasadori thekson se në kuadër të procesit të Berlinit BE, Komisioni caktoi një miliardë Euro në grante deri në vitin 2020.

“Përmes Procesit të Berlinit, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë krijuar një Agjendë Ndërlidhjeje të gjerë. Kjo Agjendë po përmirëson lidhjet e transportit dhe energjisë në rajon, si dhe ato me shtetet anëtare të BE-së. Në vitin 2015, Komisioni caktoi një miliardë Euro në grante deri në vitin 2020 për të mbështetur Agjendën e Ndërlidhjes. Deri më sot, kemi përdorur tashmë 70% të tyre, duke dhënë mbështetje konkrete për projektet e infrastrukturës nga të cilat përfitojnë drejtpërsëdrejti qytetarët në rajon”, tha ai.

Po ashtu, ambasadori i BE-së tha se “themeli kryesor i Agjendës, dhe më lejoni të them, ëndrra e madhe që qëndron pas këtij procesi, është të krijojmë atë që ne e quajmë “rrjeti bazë”, i cili do të lidhë të gjitha kryeqytetet, qendrat kryesore ekonomike dhe portet e mëdha në rajon. Asnjë politikë kombëtare transporti nuk mund të veprojë në izolim. Angazhimi i ndërsjellë është themeli që siguron garanci për secilin vend që investimet e tyre do të jenë të vlefshme. Ndërlidhja, megjithatë, nuk është vetëm një çështje e infrastrukturës fizike – qoftë rrugë, hekurudhë, energji apo gaz.”

Ambasadori shtoi se infrastruktura në rajon ka rëndësi për lidhjen e njerëzve, lidhja e tregjeve.

“Infrastrukturat kanë kuptim nëse plotësohen me masa rajonale, institucionale dhe rregullatore që hapin tregje, krijojnë një kornizë transparente, ndërtojnë besimin e investitorëve dhe largojnë pengesat. Dhe, më e rëndësishmja, në fund të fundit lidhin njerëzit. Nuk ka shumë kuptim të investohet fort në rrugë apo hekurudha moderne nëse kamionët apo trenat ngecin në kufij. Prandaj ambicia jonë është që të lidhim tregjet, ekonomitë dhe njerëzit përmes krijimit të një Zone Ekonomike Rajonale”, – tha Soreca.

Në vijim, ambasadori, Soreca shton se në bazë të konceptit origjinal të Bashkimit Evropian qëndron një fakt i thjeshtë: në një botë të globalizuar ne jemi të gjithë lojtarë të vegjël.

“Duke krijuar tregun unik më të madh, shtetet anëtare të BE-së i kanë lejuar investitorët të arrijnë maksimumin e konsumatorëve. Kjo qëndron edhe për Ballkanin Perëndimor, ku tregu prej 20 milionë konsumatorësh është ende gjerësisht i pashfrytëzuar. Zona Ekonomike Rajonale nuk është një zëvendësuese e anëtarësimit në BE. Përkundrazi, ajo ndihmon në përgatitjen për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian – duke filluar me harmonizimin e standardeve kombëtare dhe duke rrëzuar barrierat ndaj tregtisë dhe investimeve”, – tha ai.

Po ashtu ambasadori thekson se Komisioni Evropian vlerëson se rreth 80.000 vende të reja pune mund të krijohen në mbarë rajonin, nëse ekonomitë përkatëse integrohen më ngushtësisht.

Krijimi i një Zone Ekonomike Rajonale

“Dhe për energjinë, ashtu si me transportin, funksionimi sipas rregullave të pajtueshme me BE-në, si ndarja e shërbimeve apo lejimi i qasjes së palëve të treta, është një element thelbësor i agjendës së ndërlidhjes. Duke kthyer vështrimin një vit e gjysmë pas krijimit të saj, Zona Ekonomike Rajonale tashmë po jep rezultate: Së pari, në prill hyri në fuqi protokolli shtesë i CEFTA-s mbi lehtësimin e tregtisë – një hap i qartë drejt eliminimit të barrierave tregtare në rajon; së dyti, u miratua një Agjendë rajonale për Reformën e Investimeve për të harmonizuar politikat e investimeve mbi praktikat më të mira ndërkombëtare; dhe Së treti, është arritur progres në heqjen e pengesave për lëvizshmërinë e studiuesve dhe njohjen e diplomave”, tha ambasadori.

Duke folur për tregtinë në rajon, Soreca tha se, “tregtia brenda rajonit ka treguar një prirje shumë pozitive rritëse që nuk ishte parë në vite më shumë se 13% rritje në tregtinë brenda CEFTA-s në vitin 2017 krahasuar me vitin 2016. Kjo është një shenjë shumë inkurajuese që Agjenda e Ndërlidhjes po fillon të japë rezultate. Modelet e eksportit në Ballkanin Perëndimor ende dominohen nga produkte të pakualifikuara, me teknologji të ulët dhe intensitet të burimeve natyrore. Kemi nevojë për investime që nxisin aftësi dhe sipërmarrje shumë të zhvilluara. Agjenda mbështetet në rritjen inteligjente dhe ekonominë e dijes”.

Kjo më sjell te zhvillimet më të fundit: miratimi i një Agjende Digjitale për Ballkanin Perëndimor disa muaj më parë në Sofje.

“Digjitali është për nga përkufizimi pa kufij, duke përfshirë rajone dhe kontinente. Agjenda digjitale siguron që qytetarët të kenë aftësitë për t’iu përshtatur kërkesave të ekonomisë së re. Ajo gjithashtu ndihmon në modernizimin e administratave publike, forcimin e sigurisë kibernetike, rritjen e ndërlidhjes dhe nxitjen e kërkimit dhe inovacionit. Agjenda e Sofjes përfshin një udhërrëfyes për të ulur koston e telefonisë celulare (roaming). Diçka kaq e thjeshtë sa të kesh aftësinë për ta përdorur telefonin tënd kur udhëton në vendin fqinjë nuk është vetëm një lehtësi personale, por është një nevojë e ngutshme për të rritur ndërlidhjen e biznesit”, – tha ai.

30 milionë euro janë rezervuar nën Kuadrin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor

Soreca shoi se Agjenda, gjithashtu, ofron asistencë teknike për projekte digjitale në rajon. Ekzistojnë mundësi për të mbështetur investime në zonën digjitale.

“30 milionë euro janë rezervuar nën Kuadrin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe fatkeqësisht janë pak të përdorura. Ne kemi nevojë për ide më novatore që duhen paraqitur në të gjithë rajonin”, – tha ai.

Shqipëria do të ketë infrastrukturën e ardhshme rajonale të internetit me shpejtësi të lartë

“Në Shqipëri ne po vlerësojmë se si ta lidhim vendin me infrastrukturën e ardhshme rajonale të internetit me shpejtësi të lartë. Për të përmirësuar ndërlidhjen për shëndetin, funksionet arsimore dhe shërbimet e tjera publike. Komisioneri Gabriel, i cili ka investuar kaq shumë personalisht për krijimin e Agjendës Digjitale, do ta vizitojë Tiranën javën e ardhshme për të diskutuar dhe promovuar zbatimin e saj”, – tha ambasadori i BE-së.

Në Tiranë rreh zemra e këtij thelbi, Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor

“Por cili është qëllimi përfundimtar i gjithë Agjendës, në mos të lidhë njerëzit, qytetarët e rajonit. Të gjithë njerëzit, por edhe më shumë të rinjtë. Ky është thelbi i Agjendës së Ndërlidhjes. Dhe në Tiranë rreh zemra e këtij thelbi, Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor, me skemën e saj të lëvizshmërisë brenda rajonit”, – shtoi ambasadori

Gjithashtu, ambasadori i BE-së shton se “Komisioni i ka dyfishuar fondet për Erasmus+ për rajonin dhe po fillon një projekt pilot për lëvizshmërinë në arsimin dhe aftësimin profesional. Ne, gjithashtu, kemi nisur një Mundësi Digjitale Trajnimi dhe po reflektojmë për krijimin e një “Laboratori Rinor të Ballkanit Perëndimor”, duke ofruar hapësirë ​​për një politikëbërje novatore që adreson nevojat e të rinjve”.

“Rinia mishëron gjithçka që përfaqëson agjenda jonë e ndërlidhjes: jo vetëm që lidh infrastrukturën dhe ekonomitë, por lidh njerëzit, promovon pajtimin dhe lehtëson lëvizjen e përditshme. Ne jemi krenarë që mbështesim Agjendën e Ndërlidhjes për ndikimin e saj shumë pozitiv në marrëdhëniet fqinjësore. Krijimi i lidhjeve dhe lidhja e biznesit dhe njerëzve mbajnë çelësin e prosperitetit dhe paqes afatgjatë për të gjithë në rajon”, – përfundoi ambasadori i BE-së në Shqipëri. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.