Shqipëria është në ditën më të mirë historike në luftën kundër krimit

72

TIRANË, 8 nëntor /ATSH/- Kryeministri i vendit Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria sot është në ditën e saj më të mirë historike, në raportet e shtetit kundër krimit.

“Sot ne kemi më shumë sesa përgjysmuar kriminalitetin në Shqipëri. Këtë e vërtetojnë faktet dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, është një person me kualitete të larta, me integritet të padiskutueshëm, që do të thotë që nuk ka qenë me mua e as për të thënë po, po, dhe as për të ulur kokën dhe për të heshtur, por jemi në kabinet me mua, sepse marrim vendime dhe ne kemi bërë punë shumë të mira”, – tha Kryeministri.

Gjatë një interviste televizive me gazetarë analistë, Kryeministri u shpreh se, nuk ka asnjë arsye të kërkoj falje për ish-ministrat e Brendshëm, Saimir Tahirin e Fatmir Xhafën.

“Unë them që jeni ju, ata që duhet të kërkoni falje, të gjithë ju që keni marrë pjesë në “ndriçimin” e Saimir Tahirit bazuar tek thashethemet e dy kriminelëve ordinerë, për të cilat Prokuroria e orkestruar politikisht kërkoi arrestimin dhe ju kërkuar arrestimin”, – tha Rama.

Ndërsa theksoi se tani, jo unë, por Prokuroria më e egër, gati më jakobine që ka Europa, që është Prokuroria italiane, kreu hetimet e veta deri në fund për Saimir Tahirin mbi bazën e atyre llogjeve të Kavajës, që u sollën këtu e u shitën si prova dhe gjykata italiane i dha Saimir Taihirit pafajësinë e plotë për atë llum kazani.

Përballë këtij fakti tha Kryeministri si i bie, që Partia Sosialiste dhe unë vepruam drejtë që nuk lamë të arrestohej një deputet për llumin e kazanit, apo vepruam gabim? Se gjykata italiane thotë që ne vepruam drejt.

Tani Saimir Tahiri është në proces penal me Prokurorinë shqiptare për pjesë që Prokuroria  shqiptare di dhe po zhvillon, dhe unë nuk ndërhyj këtu, tha Rama. Por për llumin e Katanias që ju kërkoni arrestimin e Saimir Tahirit, jeni ju që duhet t’i kërkoni falje Saimir Tahirit dhe publikut, që e çoroditët me muaj të tërë, deklaroi Rama.

Flasim konkretisht që kemi mbajtur anë e duhur dhe kemi ndalur arrestimin e një njeriu për llogje e telefonata. Apo të kërkoj falje për Fatmir Xhafën, që ka kryer një punë që është në sytë e të gjithëve dhe është shumë e duartrokitur edhe nga partnerët, të kërkoj falje që janë prapa hekurave dhjetëra e dhjetëra kriminelë që ishin në kërkim prej vitesh, dhe uleshin në dreka me drejtorët e policisë dhe ish-ministra të Brendshëm, në kohën e atyre që sot kërkojnë qiqra në hell, tha Rama.

Rama: Lleshaj një projekt të ri për luftën kundër elementëve kriminalë 

Kryeministri theksoi se nëse sot nuk ka kanabis në Shqipëri është vepër e kësaj qeverie, që me arrogancë e ka luftuar si asnjëherë më parë këtë fenomen që ishte i kudondodhur më parë dhe që me arrogancë e ka luftuar krimin dhe shumë shpejt, ministri i ri i Brendshëm do të sjellë një projekt të ri për luftën kundër elementëve kriminalë me precedentë penalë, që përfundimisht ne do t’i zhdukim nga sipërfaqja e Shqipërisë që i takon njerëzve normalë dhe publikut.

Dorëheqja e Xhafës-Rama: Vendim sovran i tij  

Dorëheqja e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj është një vendim sovran.

Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste televizive, ndërsa theksoi se ministri Xhafaj e kreu detyrën e tij dhe sot ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj do të bëjë një hop tjetër cilësor në një punë ku traseja është e shtruar, por ka nevojë për më shumë shpejtësi veprimi.

Kryeministri u shpreh se, nga jeta ime sportive kam ndër të tjera edhe një mësim që:  lojtari që thotë “dua të dal nga fusha, nuk i thuhet duhet të rrish në fushë”, por ulet në stol e futet tjetri. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.