Ngjarja në Bularat shfaqje e izoluar, nuk ndikon në marrëdhëniet me Greqinë

68

TIRANË, 8 nëntor/ATSH-Maela Marini/ “Nga pala greke ka pasur qëndrime të qarta për ngjarjen në Bularat dhe kjo ngjarje nuk ndikon në marrëdhëniet tona”.

Kështu deklaroi sot, nga studioja e emisionit “Real Story” në Vizion Plus, Kryeministri Edi Rama.

Duke folur për ngjarjen në Bularat dhe për ngjyrimet që mori kjo ngjarje edhe ditën e sotme, kur u krye varrimi i shtetasit Kostandinos Kocifas, Rama tha se “ne nuk jemi një vend ku luftohet me arkëmortet dhe me provokatorët e varrimeve”.

“Kam bërë një koment spontanisht në “Facebook”, sepse pashë që kishte reagime të cilat me thënë të drejtën më krijuan një pështjellim negativ. Sepse mendoj se ajo që shihet nga disa si dobësi, është forca dhe vlera e këtij vendi”, – tha Rama.

Ne jemi një vend, tha Kryeministri, “ku ndodhi sot, në një fshat, diçka që në vendin fqinj apo dhe në vende të tjera nuk imagjinohet dot, por kjo imagjinohet vetëm në vende demokratike”.

Kryeministri theksoi se “morëm masat përkatëse në kufi dhe masat për disa shtetas që rezultonin në shkelje të ligjeve të vendit, duke hyrë në mënyrë të paligjshme në kufirin e gjelbër”.

Por nga ana tjetër, vijoi Rama, “unë refuzoj dhe i bëj ftesë të gjithëve të refuzojmë shprehjen: “na erdhi greku””.

Ky nuk është populli grek, tha Kryeministri, duke shtuar se “kjo nuk është as Greqia, fshati Bularat apo minoriteti”.

“Ky është një segment folklorik dhe i mjerë i politikës greke dhe populli grek nuk ka qenë dhe nuk do jetë kurrë armiku ynë. Greqia është vendi ku shqiptarët kanë gjetur strehë, sikundër dhe e kundërta. Por taksirat, si çdo vend, ka edhe gomerët dhe derrat e vet”, – tha Rama.

Ngjarja e sotme e krijuar në Bularat, sipas Ramës, nuk ka nevojë për komente të tepërta, pasi është një shfaqje e izoluar në një fshat, që u mor peng për disa orë brendapërbrenda nga një grup personazhesh qesharake”.

“Ata erdhën, turpëruan flamurin e tyre dhe lanë pas shijen e një shfaqje folklorike dhe groteske duke përdhosur edhe viktimën”, – tha Rama.

Kryeministri kujtoi se kjo ngjarje po shfrytëzohet në mënyrë të egër politikisht në Greqi, edhe në funksion të zgjedhjeve që po afrojnë.

“Ai mund të jetë hero i pjesës më barbare të politikës greke, por nuk është hero askush që merr armën dhe qëllon e kërcënon të vrasë njerëz të pafajshëm. Përtej atij që shkoi në botën tjetër, këta që erdhën nga Greqia për të provokuar i përkasin një bote të huaj për botën shqiptare”, – tha Rama.

Bota shqiptare, sipas tij, “është kjo dhe është vlerë dhe jo dobësi”. “Ne bëmë detyrën për aq sa duhet të bënim, ndërkohë që minoriteti grek është i nderuar dhe i respektuar. Edhe nga pala greke ka zëra të respektueshëm që kanë patur qëndrim të qartë lidhur me këtë ngjarje, që nuk ka asnjë arsye të ndikojë në marrëdhëniet tona”, – tha Rama./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.