Në 2009 qeveria e asaj kohe nxorri nga burgu mbi 70 kriminelë për zgjedhjet

69

TIRANË, 8 nëntor/ATSH – A. Fortuzi/ – Kryeministri i vendit, Edi Rama, i pranishëm në një studio televizive, duke folur për akuzat e opozitës lidhur me përgjimet që prekin sipas Partisë Demokratike, kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, u shpreh se kjo çështje është shprehje e dëshpërimit të opozitës dhe pëgjimi është i vërtetë, aq sa ishte i vërtetë përgjimi për Tahirin.

Kryeministri Rama u shpreh se nuk asnjë lidhje mes akuzave të opozitës për Dakon dhe “divorcit” me Xhafajn, që dha dorëheqjen. “Opozita është një dëshpërim që të kujton shprehjen, njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara. Nga anketimi ynë i fundit, pyetjes se cili është problemi kryesor i vendit, e dini sa për qind e shqiptarëve u përgjigjet krimi? Vetëm 3 %… Domethënë gjithë kjo zallamahi e madhe për babalet, për Fredin, e me dreqin e të birin, e me skllaven Izaura, nuk ka prodhuar absolutisht asgjë, veçse rrënimin e besimit drejt opozitës dhe natyrshëm më pas dhe për debatin politik. Ne nuk duhet e nuk i qëndrojmë dot besnik kësaj gjëje. Ne s’duhet të merremi fare me opozitën për këtë dosjen 339 me qëllim që shpif, shpif, se diçka mbetet”, – tha Rama.

“Historisë tonë pesëvjeçare të gjithë e dimë, ne luftojmë kanabisin, opozita thotë se ne e kemi sjelll kanabisin. Ne luftojmë krimin e organizuar, opozita shprehet se ne jemi krimi organizuar, ne godasim kush të dali përpara, ne sipas opozitës jemi ata që mbështesim krimin. Fakti ka rëndësi, jo çfarë thuhet. Fakt është ky: Në vitin 2009, qeveria e atëhershme nxorri nga burgu mbi 70 kriminelë me damkë me leje dhjetëditore për zgjedhje dhe i përdori për të terrorizuar komunitetet. Këto janë në raportin e ambasadorit të SHBA dhe partnerëve. Historia është shumë e thjeshtë, Shqipëria është një realitet që ka komunitete me influencë dhe në fushatë nuk shkohet duke i kërkuar dëshminë e penalitetit, diplomën etj., por njerëzit që janë të lirë janë subjekt i fushatës elektorale, kë takove, kë s’takove, janë muhabete kot. Nuk më shqetëson fare që opozitës nuk i vërtetohet asnjëlloj gjëje. Përgjimet flasin qartë, siç flisnin qartë përgjimet për Tahirin. Por, Tahiri doli i pafajshëm në prokurorinë jakobine të Katanias”, – tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.