Ndërtimi i rrugës Fier-Seman, ndikim pozitiv në turizëm dhe bujqësi

76

TIRANË, 8 nëntor /ATSH/ – Rikonstruksioni i rrugës Fier-Seman do të financohet nga  qeveria shqiptare dhe Banka Botërore.

Ndërtimi kësaj rruge do të sjelle lëvizshmëri me standarde drejt bregdetit dhe Apollonisë por do të ketë edhe një impakt pozitiv në zhvillimin e ekonomisë bujqësore të zonës.

Kjo rrugë do të rikonstruktohet plotësisht në të gjithë gjatësinë e saj, prej 18, 2 km. Ajo do  të rindërtohet sipas standardeve më të larta, ku përfshihen rruga për makinat, trotuarët, dhe një pistë për biçikleta.

Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Benet Beci, gjatë raportimit për buxhetin e vitit 2019 në Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.

Ky projekt redukton kohën e udhëtimit në 20 minuta. Parashikohen 4 tipologji ndërhyrjesh, ndër të cilat një urë të re 40 metra në Hoxharë dhe segmentin Hekurudhë-Dërmenas me gjatësi 5.33 km me 2 korsi për automjetet dhe trotuarë për këmbësorët.

Gjithashtu rikonstruksioni i kësaj rruge do të sjellë edhe një impakt në ekonominë bujqësore të zonës. Rikonstruksioni i rrugës Fier-Seman siguron akses të shpejtë me kosto të ulët në tregje dhe shërbime, si dhe impulse të reja për agroturizmin. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.