Mosdekretimi i Lleshajt nga Presidenti, në Gjykatën Kushtetuese

50
TIRANË, 8 Nëntor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se të hënën do të depozitojmë në Gjykatën Kushtetuese çështjen për mosdekretimin nga Presidenti Ilir Meta të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshajt.
Në një intervistë në emisionin “Real Story” në Vizion Plus, Kryeministri Edi Rama theksoi se “brenda shtatë ditësh ne do ta depozitojmë çështjen në Gjykatë Kushtetuese. Për ta sqaruar njëherë e mirë këtë punë. Kushtetuta jonë po bëhet si manuali i artilierit, sepse duhet të vendosur në Kushtetutë edhe shpjegime që janë komplet të panevojshme, sepse këtu ndodhesh përpara situatash absurde, ku nuk di çfarë ndodh, gjëra të paparashikueshme”.
Ne, vijoi ai, do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese për të sqaruar presidentët e të ardhmes, jo Presidentin që kemi, se me këtë besoj se do të merremi vesh.
“Shqipëria do të ketë Gjykatë Kushtetuese, shpresoj deri në pranverë ajo do të marrë vendimin e vet”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “mosdekretimi i Lleshajt është flagrancë antikushtetuese”.
“Meta ka pasur një rol pozitiv, nuk kemi pse mos t’i japim Çezarit atë që i takon Çezarit. Unë nuk shikoj arsye pse ai t’i vërë një njollë që është pastaj i bie të jetë njolla më e madhe për një president, që i bie duke filluar nga Ramiz Alia, deri tek Ilir Meta”, – tha Rama./k.s//a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.