Jetësimi i Reformës në Drejtësi, 17% buxhet më shumë për Ministrinë e Drejtësisë

121

TIRANË, 8 nëntor/ATSH- A. Fortuzi/ – Zëvendësministri i Drejtësisë, Toni Gogu e cilësoi sot buxhetin 2019 si buxhet të konsoliduar, ndërsa ishte i pranishëm në Komisionin e Ligjeve. Rritja buxhetore për vitin 2019 në krahasim me vitin 2018 është 17%. “Në vitin 2019, puna më e madhe është ajo për jetësimin e Reformës në Drejtësi”, – tha Gogu.

“Buxheti konsolidon përparësitë e qeverisë. Ka investim serioz në pagat e magjistratëve dhe për njerëzit e sistemit të drejtësisë, jetësimin e ndihmës juridike. Sjell reformimin e sistemit penitenciar, ku oficerët e burgjeve duket që do të kenë shpërblim financiar të denjë. Përmes këtij pr/buxheti adresojmë çështjen e mbipopullimit në burgje”, – tha Gogu.

Deputeti i PS-së Bashkim Fino, si relator i pr/buxhetit, tha se projektbuxheti ka rritje të konsiderueshme. “Ka mbështetje financiare për Reformën në Drejtësi. Policia e burgjeve do të ketë rritje pagash në vitin 2019. Policia burgjeve do të ketë 7% rritje pagash”, – tha Fino. “Probleme te Ministria e Drejtësisë mbeten investimet, sidomos burgjet. Këtë vit ka investime, 1 miliard lekë”, – tha Fino.

“Për reformën në sistemin e burgjeve kemi nevojë për rritje buxheti. Janë dy qendra që Kodi Penal na detyron të ngremë. Tek pronat jemi fokusuar tek kompensimi financiar i shpronësimeve”, – tha zv.ministri Gogu.

Deputeti Fino u shpreh se “çdo ministri kërkon më shumë në buxhet. Por për Ministrinë e Drejtësisë është buxhet i ekuilibruar, në funksion të zbatimit të Reformës në Drejtësi. Në prill do nisë rritja e pagave për policinë e burgjeve”, – tha Fino. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.