Buxheti 2019, ILDKPI kërkon 4 milionë lekë shtesë

TIRANË, 8 nëntor/ATSH- A. Fortuzi/- Sekretarja e përgjithshme e ILDKPI, Kozeta Ndoi kërkoi 4 milionë lekë mbi shumën e planifikuar në pr/buxhetin e vitit 2019.

Ndoi, duke folur para deputetëve në Komisionin për Çështjet Ligjore, u shpreh se në tërësi ky institucion është i kënaqur me buxhetin. Sipas saj, ka vetëm një problem, i cili duhet mirëkuptuar dhe buron nga ligji. “138 mln lekë janë dhënë për buxhetin e vitit 2019. Por kërkojmë më shumë për shkak se deklaratat e pasurive tashmë do të bëhen në sistem online. Më shumë para për shpenzimin e mirëmbajtjes dhe kjo jo se e kërkojmë ne, por firma që do bëjë mirëmbajtjen. Kërkojmë 4 milionë lekë me tepër”, – tha Kozeta Ndoi.

Deputeti i PS, Bashkim Fino, relator i Buxhetit u shpreh se shifra në fjalë është kërkuar dhe më herët dhe se në bashkëpunim me ministrinë e Financave kjo situatë mund të rregullohet. “Është një shifër modeste e argumentuar mirë. Është kërkuar nga ky institucion kjo shtesë edhe gjatë mesit të vitit të shkuar, por nuk iu dha. Jam i idesë se kjo shtesë mund të alokohet dhe mendoj se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Komisionin e Ekonomisë mund të bëhet dhënia e këtij fondi”, – tha Fino.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca u shpreh se ky institucion kërkon 4 milionë lekë shtesë për shpenzime dhe 3.4 milionë për dy ndihmëskomisionerë, në këtë drejtim shuma e kërkuar parashikon pagat dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për ta. Deputeti socialist, Bashkim Fino tha se për këto dy kërkesa duhet vlerësuar mundësia me Ministrinë e Financave. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.