Hetime të pavarura për ngjarjen në Bularat

37

TIRANË, 8 nëntor /ATSH – I. Vata/ – “Qeveria dhe opozita nuk ngritën asgjë tjetër, përveçse buzës së keqardhjes për këtë ngjarje sa të dhimbshme, aq edhe qesharake dhe kjo është vlerë për ne, se shkon në traditën tonë”.

Duke u rikthyer te çështja e Bularatit dhe pyetjes se a mund të ishte evituar ngjarja në aksionin e policisë, Kryeministri Edi Rama tha sonte i ftuar në një emision televiziv se, “ndjehem shumë mirë në këto raste që i përkas këtij vendi, se do ishte e pamundur, tejet e vështirë të imagjinohej që e njëjta gjë të kishte ndodhur në Greqi, ku 1000 vetë të veshur kuqezi të shkonin në territoret e Greqisë dhe të këndonin këngë për Çamërinë”.

“Do të ishte e paimagjinueshme kjo dhe besoj se do kishte ndezur flakë politikën greke, ndërkohë që këtu as qeveria, as opozita nuk ngritën asgjë tjetër, përveçse buzës së keqardhjes për këtë ngjarje sa të dhimbshme, aq edhe qesharake dhe kjo është vlerë për ne, se shkon në traditën tonë, sepse ne respektojmë mortin dhe respektojmë njerëzit që qajnë një të vdekur, edhe kur ata vijnë për të qarë dhe pastaj këndojnë si korba në funeral dhe turpërojnë flamurin e tyre. Thënë kjo, unë besoj po ashtu kemi pasur një qasje serioze edhe me palën greke, kemi mbajtur reciprocitetin. Kanë ndodhur ngjarje shumë të rënda, janë vrarë shqiptarë në Greqi. Pala greke ka kërkuar një hetim të përbashkët, një proces të përbashkët, ne e kemi refuzuar, sepse kemi bërë ekzaktësisht atë që është bërë me rastet e mëparshme”, – tha Rama.

Në vijim, duke argumentuar Rama tha se “e dyta, nga pikëpamja e procesit, Prokuroria ka reaguar ndaj një kërkese për ekspertizë dhe të gjitha ekspertizat do të përfundojnë, ato janë të pavarura dhe do të japin rezultatin final dhe në bazë të ekspertizave mund të diskutohet, nëse do të diskutohet për këtë çështje”.

Kryeministri Rama theksoi se ngjarje të tilla janë të patolerueshme.

“Një gjë di unë se, as në Shqipëri dhe, as në Greqi nuk ndodh, që një i armatosur që kërcënon njerëzit e paarmatosur nuk tolerohet”, – tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.