Gjithëpërfshirje e shoqërisë civile në reformën e Shërbimeve Publike

87

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Ecuria e reformës në Shërbimet Publike është një prej prioriteteve kyçe të qeverisë shqiptare.

Kjo u konfirmua sot gjatë një takimi të zv.kryeministres Senida Mesi me përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile.

“Me të pranishmit diskutuam, ndamë mendime dhe morëm sugjerime të ndryshme se si ta përmirësojmë dhe ta çojmë më tej këtë proces tashmë të pandalshëm e historik, në drejtim të arritjes së shërbimeve që duam për Shqipërinë që duam”, – tha Mesi.

Gjithëpërfshirja, sipas saj, zë një aspekt të rëndësishëm në të gjithë proceset e kësaj reforme, ku qëllimi final është aksesi në çdo shërbim për çdo qytetar, pavarësisht vendndodhjes.

Po ashtu, Mesi tha se “synohet cilësia në ofrimin e shërbimeve si dhe transparenca në aksesimin e informacionit për shërbimet publike”.

Mesi: “Aksesi, Cilësia dhe Transparenca – Shtyllat Bazë që Drejtojnë Reformën në Shërbimet Publike” 

Nën rolin e udhëheqëses së kësaj reforme, Znj. Mesi duke u ndalur tek vizioni i qeverisjes, si një vizion i përqendruar tek qytetari dhe llogaridhënia, theksoi faktin se gjithpërfshirja zë një aspekt të rëndësishëm në të gjithë proceset e kësaj reforme. “Aksesi tek çdo shërbim për çdo qytetar, pavarësisht vendndodhjes; cilësia në ofrimin e shërbimeve; si dhe transparenca në aksesimin e informacionit për shërbimet publike janë në thelb të të gjithë kësaj reforme historike e të pandalshme”, u shpreh ajo.

Znj. Mesi tha se aktualisht shqiptarët mund të aksesojnë shërbimin përmes qendrave të integruara ADISA, por edhe përmes portalit elektronik qeveritar “e-Albania”.  “Deri tani janë 5 Qendra të Integruara ADISA dhe 15 të tjera do të hapen në vijim . Brenda këtij viti, do të hapim ADISA në Shkodër dhe Tiranë ku do të ofrohen më shumë se 535 shërbime”, tha Zëvendëskryeministrja duke nënvizuar faktin se po punohet për ofrimin e shërbimeve edhe përmes “Kolokimit” me Postën Shqiptare, Bashkitë, si edhe ndërtimin e njësive lëvizëse që të ofrojnë shërbime në zona të thella.

Gjatë takimit, u vu gjithashtu theksi edhe tek transparenca dhe lufta ndaj korrupsionit, ku shërbimi “online” dhe digjitalizimi i shërbimeve janë cilësuar si instrumente themelore në këtë drejtim për shmangien dhe parandalimin e tij.

Me rëndësi të veçantë është konsideruar edhe miratimi i kartës së qytetarit vetëm pak kohë më parë, një lloj “kushtetute”, e cila synon të mbrojë dhe fuqizojë të drejtat e qytetarëve shqiptarë gjatë marrjes së shërbimeve publike nga administrata shtetërore. “Karta e Qytetarit do të afishohet në çdo zyrë të administratës shtetërore për të qënë e aksesueshme nga qytetarët. Ajo pritet që të ndikojë edhe në rritjen e transparencës në proceset e shërbimeve publike. Disa nga të drejtat që parashikohen në këtë kartë janë ato të informimit paraprak të qytetarit për procedurat e marrjes së shërbimit; e drejta për trajtim të barabartë gjatë marrjes së shërbimeve; e drejta për të ankimuar, e drejta për të marrë këshillim gjatë procesit të shërbimeve, e drejta për lehtësimin e barrës burokratike mbi qytetarin etj.”, u shpreh Zëvendëskryeministrja Mesi.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.