Foto/ Shkolla “Demir Godelli”, së shpejti me kushte bashkëkohore

322

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/- Shkolla 9-vjeçare “Demir Godelli” në Peqin po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë sipas të gjitha standardeve të përcaktuara tashmë nga Ministria e Arsimit për zhvillimin e një procesi mësimor normal.

Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht edhe kreu i Grupit Parlamentar në PS, Taulant Balla inspektoi sot punimet në rikonstruksionin e kësaj shkolle i shoqëruar nga nga kryetari i bashkisë së Peqinit, Sajmir Hasalla, nënkryetarin Julian Manahasa, nënprefektin Edmond Xhoni si dhe drejtorin e spitalit Lorenc Tosku.

Rikonstruksionit total të ambienteve i është shtuar sistemi i ngrohjes, rinovimi i të gjithë rrjetit elektrik dhe hidraulik, termoizolimi, ambientet e jashtme ku përfshihet edhe një kënd lojërash për fëmijët e sistemit parashkollor, këndet sportive, si dhe e gjithë infrastruktura lehtësuese për nxënësit me aftësi ndryshe.

Punimet në këtë shkollë po vijojnë me intensitet dhe deri në fund të muajit dhjetor ku shkolla do të jetë gati për të pritur 450 nxënësit. Më herët, shkolla “Demir Godelli” ishte jashtë çdo standardi higjieno-sanitar.

Balla ka bërë të ditur se projekte të tjera shumë shpejt do të nisin zbatimin në bashkinë e Peqinit, siç është edhe projekti për Rilindjen Urbane të këtij qyteti. Ndërkaq, Balla tha se vizioni për zhvillimin e kësaj zone është agroturizmi, ndaj i bëri apel qytetarëve apo bizneseve të investojnë për agroturizmin në zonën e Peqinit, që sipas tij është e pasur me resurse.

z.tosku/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.