FOTO/ Menaxhimi i koleksioneve, trajnim për 24 muzeologë

104

TIRANË,8 nëntor /ATSH/ – Në Muzeun Historik Kombëtar ka nisur trajnimi Re Org Shqipëria. Muzeu Historik Kombëtar mundëson hapjen e fondeve muzeale për këtë trajnim, në të cilin janë duke marrë pjesë 24 muzeologë nga 13 muze kombëtarë nën Ministrinë e Kulturës dhe punonjës të koleksioneve arkeologjike dhe etnografike nën Ministrinë e Arsimit.

Trajnimi i cili ka nisur më 5 nëntor e ka përfunduar sot me sukses ditën e tretë. Pjesëmarrësit u njohën nga afër me fondin e Muzeut Historik Kombëtar dhe nisën punën për zbatimin e projektit.

Dita e parë dhe e dytë e trajnimit kanë pasur në fokus prezantimin e projektit dhe përgatitjen teorike për pjesëmarrësit në trajnim. Trajnimi drejtohet nga katër mentorë nga ICCROM dhe Europa Juglindore.

Ky trajnim do të synojë trajnimin e muzeologëve shqiptarë në krijimin e strategjive për menaxhimin e koleksioneve, praktika këto pak të hasura në Shqipëri, i cili do vazhdojë deri më 13 nëntor.

Projekti mundësohet nga mbështetja financiare e ICOM, ICOM SEE, Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Muzeut Historik Kombëtar, ICOM Shqipërisë dhe ICCROM./a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.