Dixhitalizimi i Shërbimit Konsullor, Bushati: Kemi zhdukur korrupsionin

82

Bushati: Rreth ambasadave tona nuk ka më vend për sekserë

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ – “Çdo aplikim që bëhet në sistemin konsullor monitorohet nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) dhe kjo eliminon mundësinë për abuzim dhe nga ana tjetër verifikon sjelljen dhe përgjigjen e konsullit ndaj qytetarit”.

Kjo ishte përgjigja e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, për një nga problemet që u parashtrua nga Gaston Sanxhaku nga Athina gjatë interpelancës së zhvilluar ditën e sotme, i cili shtroi pyetjen rreth vështirësisë që hasin personat e moshës së tretë në përdorimin e sistemit dixhital për marrjen e shërbimeve konsullore.

“Nëse deri dje kishte pretendime të panumërta për abuzime, mitmarrje e papërgjegjshmëri në ushtrimin e detyrës nga ana e postave tona konsullore, sot, ankesat që vijnë kanë të bëjnë me shpejtësinë dhe respektimin e afateve që imponon ligji në ofrimin e këtyre shërbimeve”, – nënvizoi Bushati.

Dixhitalizimi përbën një nga reformat më të rëndësishme në këtë drejtim, pasi ka evituar marrëdhënien e ndërvarësisë mes kërkuesit të shërbimit dhe ofruesit të shërbimit. Marrja e shërbimit në kohë, cilësi dhe me kosto të ulët ka qenë arritja me e madhe e dixhitalizimit.

“Ne synojmë që përdorimi i sistemit të shërbimit konsullor online të përdoret sa më gjerësisht”, – u shpreh Bushati.

Por, ministri pohoi se brenda vetë punonjësve konsullorë ekziston një debat i zjarrtë për ofrimin e shërbimit kategorive të caktuara nëpërmjet sportelit. Por kjo nuk përkthehet në sekserët e dikurshëm që ne i shihnim rreth e përqark ambasadës tonë në Athinë apo në Milano. Për të moshuarit të cilët kanë kufizimet e tyre në përdorimin e sistemit, krijohen mundësi në çdo post konsullor për t’i trajtuar si kategori me nevoja të posaçme. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.