Çështja “Tahiri”, Rama: Mosarrestimi i tij, vendim 100% i drejtë

71

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/- Mosarrestimi i ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri në periudhën aq shumë të debatuar nga mediet për lidhjen e tij me grupe kriminale, ka qenë vendimi më i drejtë për Kryeministrin e vendit, pasi vendimi i Gjykatës italiane ka vërtetuar krejt të kundërtën e asaj që aludohej.

Kryeministri i vendit deklaroi mbrëmjen e sotme se Prokuroria italiane ka vërtetuar që Sajmir Tahiri nuk ka asnjë lidhje me grupe të tilla, dhe kjo Prokurori sipas Ramës renditet ndër më jakobinet në Europë.

“Unë fola për 100 faqet e kazanit që erdhën në Parlament për të arrestuar Sajmir Tahirin dhe u akuzuam që ne po mbrojmë një njeri që duhet të shkojë në burg. Tani Prokuroria italiane, që është më jakobine e Europës e ka marrë dhe e ka shkundur të gjithë pemën për të nxjerrë nëse ka lidhje apo jo Sajmir Tahiri dhe e ka nxjerrë që nuk ka lidhje”, – tha Rama.

Kryeministri tha se ka qenë vendim 100 % i drejtë që nuk u arrestua Tahiri.

“Ne atëherë kemi vepruar 100% drejtë, që nuk kemi dhënë leje, që nuk kemi arrestuar Sajmir Tahirin. E dyta, sa përket Kryeministrit që tregon përgjegjësi dhe kërkon ndjesë, nëse gjeni dikë tjetër që ka kërkuar ndjesë si dhe sa unë, hajde më thoni. Unë e konsideroj kërkimin e ndjesës po aq të rendisishme për një lider, sa kurajoja për vendime ekstreme. Unë jam njeri që jetoj me bindje dhe jo për të thënë atë që thonë njerëzit”, – përfundoi Rama.

z.tosku/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.