Ceremonia mortore në Bularat, Policia shoqëron 12 persona dhe procedon 2

78

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ – Policia e Shtetit ka ndaluar hyrjen për 44 qytetarë grekë si dhe ka shoqëruar 12 të tjerë në Komisariatin e Gjirokastrës.

Masat e Policisë së Shtetit janë shtuar gjatë zhvillimit të ceremonisë mortore që po zhvillohet në fshatin Bularat të Gjirokastrës.

Sipas policisë ndalimi i 44 personave nga shteti helen është bërë për shkak se ka patur informacione se ata mund të krijonin incidente në fshatin Bularat, ndërsa ka proceduar penalisht për nxitje të urrejtjes dy shtetas si dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Gjirokastrës 12 shtetas grekë.

Në deklarat theksohet edhe bashkëpunimi mes 2 policive, asaj shqiptare dhe greke, e cila ka funksionuar më së miri për parandalimin e hyrjes së personave me prirje ekstremiste.

Gjithashtu, Policia greke kishte marrë masa shtesë në Kakavijë dhe është treguar bashkëpunuese me Policinë Kufitare të Kakavijes.

Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit

Gjatë mesditës së sotme, në fshatin Bularat të Bashkisë Dropull, Gjirokastër u zhvillua ceremonia mortore e të ndjerit K.K.

Policia e Shtetit, për të garantuar mbarëvajtjen e ceremonisë mortore, si dhe shmangjen e incidenteve të mundshme që mund të lindnin nga prezenca e personave me prirje ekstremiste, mori një sërë masash parandaluese.

Në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavije, Policia ka kryer kontrolle të imtësishme të personave, të cilët vinin nga Greqia për të marrë pjesë në ceremoninë mortore në Bularat.

Si rezultat i kontrolleve, nuk u është lejuar hyrja në Shqipëri për 44 qytetarë grekë, të cilët janë kthyer mbrapa, pasi disponoheshin të dhëna se ata mund të krijonin incidente në fshatin Bularat.

Gjithashtu, gjatë verifikimeve janë evidentuar dhe proceduar penalisht për nxitje të urrejtjes, dy shtetas, të cilët mbanin me vete banderola dhe uniforma që nxisnin urrejtjen.

Gjatë ceremonisë mortore, janë evidentuar elementë që kanë shpërdorur ceremoninë për qëllime propagandistike ekstremiste.

Në përfundim të ceremonisë nga ana e Policisë janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër 12 shtetas. Ndaj personave të shoqëruar po kryhen veprimet e nevojshme procedurale nga Prokuroria.

Theksojmë faktin mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Greke ka pasur një bashkëpunim mjaft të mirë për parandalimin e hyrjes së personave me prirje ekstremiste.

Policia Greke kishte marrë masa shtesë në Kakavijë dhe është treguar bashkëpunuese me Policinë Kufitare të Kakavijes. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.