BELGJIKË – Presidentët e Serbisë dhe Kosovës rivendosin kontaktin në Bruksel

82

BRUKSEL, 8 nëntor /ATSH-AFP/ – Presidenti kosovar, Hashim Thaçi dhe ai serb, Aleksandar Vuçiç u takuan sot në Bruksel për një rifillim të normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve nën kujdesin e Bashkimit Europian, në një pikë të vdekur që prej korrikut.

Zëdhënësja e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Maja Kocijancic njoftoi se Mogherini u takua sot me presidentët Thaci dhe Vuçiç.

Ky është takimi i parë midis presidentëve serbë dhe kosovar që prej 18 korrikut. Në muajin shtator u anulua një takim në minutën e fundit për shkak të tensioneve në rritje midis dy shteteve.

‘’Gjatë takimit të sotëm, ne do të konfirmojmë angazhimin e plotë të Kosovës për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Serbinë’’, u shpreh Thaci me anë të një postimi në Twitter para takimit.

Përpara takimit Vuçiç tha se nuk kishte shumë shpresa për të parë një zhvillim por ishte e nevojshme të bisedohej, sipas radios serbe RTS.

Pas takimit i cili zgjati më pak se një orë, Mogherini njoftoi se u vendos të qëndronin në kontakt të vazhdueshëm gjatë ditëve të ardhshme për të siguruar vazhdimësinë e takimit të sotëm.

Ajo u kërkoi dy palëve të distancohen nga çdo deklaratë, veprim apo masë që bie ndesh me frymën e normalizimit.

Mogherini u bëri thirrje të dyja palëve se duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mënyrë që të shënohen progrese drejt anëtarësimit të ardhshëm në BE.

Serbia refuzon të njohë pavarësinë e ish-provincës shqiptare e shpallur në vitin 2008 dhe e njohur nga më shumë se 110 shtete përfshirë SHBA, dhe tre të katërtat e shteteve të Bashkimit Europian.

Bisedimet rinisën dy ditë pasi Kosova rriti me 10 % taksat e importit ndaj produkteve serbe, në formë kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve diplomatike të bëra nga Beogradi për të bllokuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Përveç kësaj, përpjekja e parë e Kosovës për krijimin e ushtrisë së saj në tetor shkaktoi indinjatën e Beogradit. Parlamenti kosovar miratoi një ligj që parashikon transformimin në ushtri të rregullt një forcë emergjence e trajnuar për menaxhimin e katastrofave.

Në verë, dy presidentët diskutuan mundësinë e shkëmbimit të territoreve në kufi për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz deklaroi në fillim të javës se vendi i tij do të mbështeste çdo marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës.  Unë mendoj se BE-ja do ta mbështesë atë njësoj edhe nëse parashikon një shkëmbim të territoreve apo një marrëveshje për ndryshimet e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, u shpreh ai gjatë një vizite në Prishtinë./ /v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.