Arrestohen në flagrancë tre punonjës të Hetimit Tatimor Tiranë

TIRANË, 8 nëntor/ATSH- A. Fortuzi/ – Seksioni për Krimin Ekonomik-Financiar, finalizon me sukses operacionin e koduar “Pritja”.

Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomiko-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, kanë finalizuar operacionin e koduar “Pritja” si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Maluen Hoxha, 30 vjeç, banues në Tiranë, Alban Kapo, 28 vjeç, banues në Durrës, Idajet Vrapi, 28 vjeç, banues në Durrës, të tre me detyrë punonjës të Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë.

Këta punonjës në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, pasi kundrejt një shume prej 30.000 lekë, kanë favorizuar një subjekt tregtar në qytetin e Korçës, duke i shmangur masën administrative.

Hetimet po vijojnë. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.