Taksimi i pagave, të favorizuar mbi 15 mijë të punësuar

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/- Ndryshimi në ligjin për tatimin mbi të ardhurat parashikon rritjen e pragut të tatimit nga 130 mijë lekë në 150 mijë lekë, duke favorizuar më shumë se 15 mijë të punësuar me këtë nivel page.

Por Komisioni i Ekonomisë i propozoi ministrit të Financave që përjashtimi të prekë pagat e ulëta, duke e rritur nivelin e dyshemesë në tatimin e pagave nga 30 mijë lekë në 40 mijë lekë. Në këtë mënyrë, sipas anëtarëve të komisionit të Ekonomisë, do të përfitonin ulje të tatimit ata me paga më të ulëta.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, i pranishëm sot në Komisionin e Ekonomisë tha se, politikat e qeverisë adresojnë vëmendje të veçantë për mbrojtjen e aspektit social të qytetarit.

“Po t’i referohemi tatimit mbi të ardhurat personale, do të ishte tejet e gabuar dhe do të prishnim sistemin nëse do të hynim sërish për të përjashtuar nga taksa pagat e ulëta ndërkohë që Shqipëria është ndër të vetmet vende që ka përjashtuar nga taksa pagën 30 mijë lekëshe”, – tha Ahmetaj.

Ministri i Financave shpjegoi se, për paga nga 30 mijë në 40 mijë lekë është 1,36% taksë. Nga 40 mijë në 50 mijë lekë pagë është 4,4% taksë, nga 50 mijë në 60 mijë lekë pagë është 5,9% taksë nga 60 mijë në 70 mijë lekë pagë është 6,43% takë.

“Ky një taksim progresiv sipas së cilit kush merr më shumë taksohet më shumë, mbron pagat e ulëta dhe ka bërë që 60% e të punësuarve të mos paguajnë taksë për pagën që marrin”, – tha Ahmetaj.

Ahmetaj, shpjegoi se për ndryshimin e tatimit mbi të ardhurat, përfitojnë 15400 të punësuar. Ndryshimet e ligjit parashikojnë rritjen e fashës së taksimit 23 për qind për pagat, nga 130.000 lekë në mbi 150.000 lekë.

Ministri theksoi se, nga ulja e kufirit të taksimit të pagës me 23% për 15.400 të punësuar me pagë mbi 130.000 lekë në muaj, përfitohet 25.8 milionë lekë çdo muaj, ose 310 milionë lekë në vit. Mos harroni që jemi duke ulur borxhin publik, jemi duke shëndoshur financat publike. Pra, po ndodhin dy procese në të njëjtën kohë, lehtësimi i barrës dhe ulja e borxhit, në qendër qëndron përgjegjshmëria e kësaj qeverie”, – tha Ahmetaj. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.