“Reali” kishte ofruar 214 milionë euro për Mbappen

70

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ – Informacionet e fundit të Football Leaks zbulojnë se “Real Madridi” ishte gati të paguante 214 milionë euro për të transferuar Kylian Mbappe.
Sipas artikullit të publikuar nga e përditshmja franceze “L’Equipe”, në verën e vitit 2017 kampionët e Europës patën arritur një marrëveshje paraprake me “Monacon” për transferimin prej 180 milionë eurove dhe një pagesë prej 34 milionë eurosh taksash, me operacionin që pritej të mbyllej për totalin e 214 milionë eurove.

Megjithatë në vend të klubit spanjoll Mbappe preferoi ofertën e PSG-së, që ishte më joshëse. “Monaco” vendosi vetëm një kusht për PSG: oferta e kampionëve të Francës thjesht duhet të ishte e barabartë me atë të “Realit”.

PSG nuk u mendua dy herë dhe e transferoi talentin në ditën e fundit të afatit kalimtar. Me kalimin e tij tek klubi i sheikut Nasser Al-Khelaifi, Mbappe vendosi disa kushte, siç ishte bonusi prej pesë milionë eurosh për nënshkrimin e kontratës, plus një pagë vjetore prej 10 milionë eurosh.

Gjithsesi, edhe PSG kishte disa kushte për lojtarin, si objektivin për të fituar trofeun e Topit të Artë.

19-vjeçari duket se është në rrugën e duhur për të përmbushur pritshmëritë ndaj tij. Mbappe kërkoi rritjen e pagës së tij me 30 milionë euro në sezon në rast përmbushjeje të kësaj pritshmërie, çka do ta kthente atë në lojtarin më të paguar të skuadrës kryeqytetase, por “Paris Saint Germain” e refuzoi kërkesën e tij, duke rënë dakord t’i paguanin 500.000 euro lojtarit në rast se do ta fitojë këtë çmim.

/gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.