Prokuroria kërkon 197 punonjës shtesë në kuadër të Reformës në Drejtësi

TIRANË, 7 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/- Prokuroria e Përgjithshme përmes përfaqësuesit të sektorit të ekonomisë, Luan Abazit ka kërkuar që në pr/buxhetit e viti 2019 të ketë një shtesë punonjësish prej 197 personash dhe këtë Abazi e bëri duke parashtruar kërkesat e reja të ligjit për Prokurorinë e Përgjithshme në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Këtë kërkesë Abazi e bëri gjatë punimeve të Komisionit të Ligjeve, në kuadër të ligjit për pr/buxhetin e vitit 2019.

Kjo kërkesë e Abazit, u kundërshtuar nga deputetët e Komisionit të Ligjeve. Deputeti i PS, Bashkim Fino është shprehur kundër kërkesës së prokurorisë duke e cilësuar këtë shifër të frikshme. “Kjo i bie si të ngresh nga e para institucionin e prokurorisë. Shifër e frikshme. Ministria e Financave ka shtuar 50. Por ne nuk dimë se çfarë nivelesh do shkojnë stafet e rinj. Ku janë? Mua më duket absurde. Unë personalisht nuk do ta pranoja. Ka pasur 130 milionë lekë për investim, por ka shpenzuar vetëm 52. Jua heqim fare. Ja japim një njeriu që di të investojë më mirë”, – tha Fino.

Abazi më tej specifikoi kërkesat, duke shtuar se duhen 100 sekretarë, 30 oficerë të policisë gjyqësore, etj. “Shtesa për 197 punonjës është mbi ligjin e ri të Prokurorisë së Përgjithshme. 30 i duam oficerë të policisë gjyqësore’ 100 sekretarë pranë çdo prokurorie. 5 specialistë për dekriminalizimin, 30 ekspertë të fushave të ndryshme sipas ligjit të ri. Investimet do t’i kryejmë deri në fund të vitit. Nuk djegim asnjë qindarkë”, – tha Abazi.

Më tej, Fino tha se duhet biseduar edhe një herë kjo çështje, ndërsa u shpreh i gatshëm, si relator i çështjes të ngrejë numrin për të plotësuar numrin e oficerëve të policisë gjyqësore. Edhe deputetja e PS, Vasilika Hysi, është shprehur e habitur nga kjo kërkesë e Prokurorisë. “Nuk mund të keni një sekretar për çdo prokuror. Sot keni 1 sekretar për 3 prokurorë”, – tha Hysi.

Tashmë Prokuroria dhe Ministria e Financave do të rishqyrtojnë edhe njëherë këtë pikë të pr/buxhetit të Prokurorisë së Përgjithshme për çështjen e numrit të punonjësve. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.