Presidenca: Buxheti 2019 realist, nuk kemi asnjë kërkesë

TIRANË, 7 tetor /ATSH-A.Fortuzi/ Institucioni i Presidentit të Republikës ka qenë i pranishëm në Komisionin e Ligjeve për diskutimin  buxhetit të vitit të ardhshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Alqi Balko është shprehur se nevojat janë të pafundme, por buxhetin e ka cilësuar realist duke qëndruar në shifrat e një viti më parë. ”Nuk kemi asnjë kërkesë, mendoj se janë plotësuar kushtet, edhe pse nevojat janë të shumta”, – tha ai.

Deputeti i PS-së, Bashkim Fino u shpreh se numri i punonjësve në Presidencë është tejet i lartë.  “85 punonjës për një president janë shumë. Janë goxha fond. Kanë realizuar shumë pak fondet e investimeve. Nëse nuk i bëni, jua japim të tjerëve”, – tha Fino.

Por, edhe në këtë rast, sekretari i Presidencës u përgjigj se investimet janë kryer, por procedurat mbyllen brenda vitit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.