FOTO – Gjelbërimi, Shkodra e luleve ruan traditën

114

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/- Oborret karakteristike të shtëpive shkodrane të urojnë mirëseardhjen mes luleve shumëngjyrëshe dhe aromave të trëndafilit, karafilave, luleborës e jaseminit.

Qyteti i artit, kulturës dhe traditës njihet ndryshe edhe si “Shkodra e luleve”, ku autorë të ndryshëm i kanë kushtuar luleve mbi 150 tekste këngësh.

Për të ruajtur këtë traditë, bashkia e Shkodrës ka nisur punën për shtimin e lulishteve dhe mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra në qytet.

“Ka nisur sistemimi i zonave të gjelbra në trotuare, me bordura të gjelbra dhe me tapet bari. Puna ka nisur në bulevardin “Zogu I” për gjelbërimin e 900 ml partere”, bën të ditur bashkia.

Sipas saj, një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe mbjelljes së drurëve dekorativë dhe gjelbërimit të sipërfaqeve të reja.

Bashkia e Shkodrës thekson se “këtë vit do të mbjellim rreth 1400 pemë e drurë dekorativ në hapësirat e lulishtet, në shërbim për familjet e qytetarët tanë”.

Bahçet shkodrane janë të njohura për lulet shumëngjyrëshe e plot aromë si karafilat, trëndafilat, lule borën, lule krapin, etj, që i kanë dhënë këtij qyteti jo vetëm emrin, por edhe bukurinë e hijeshinë.

Shkodra jo vetëm pa biçikletën, por edhe lulet nuk mund të kuptohet prandaj çdo vit në 6 Maj festohet dita e luleve, mes panaireve, këngëve e aktiviteteve të ndryshme që përfshijnë të gjitha moshat, duke i dhënë kështu një mesazh shprese kësaj tradite që përcillet tek brezat e rinj duke garantuar ruajtjen e një vlere. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.