Buxheti 2019: 9,7% më shumë fonde për Prefekturat

48

TIRANË, 7 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/- Ministria e Punëve të Brendshme thotë se është e kënaqur me buxhetin për vitin 2019. zv.ministri i Punëve të Brendshme, Julian Hodaj, duke folur për projektbuxhetin e vitit 2019 para deputetëve të Komisionit për Çështjet Ligjore u shpreh se janë dy programe kryesore që përmban buxheti.

“Buxheti për Prefekturën, që është rritur me 9,7% krahasuar me një vit më parë, apo tre herë më i lartë dhe buxheti për gjendjen civile, që është caktuar 678 milionë lekë, që në dukje duket më i ulët, por në realitet është më i lartë, pasi AKSHI nuk është më në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe kjo i jep mundësi gjendjes civile të përdorë këtë fond në shërbim vetëm të saj”, – tha Hodaj, duke shtuar se ky buxhet plotëson dhe nevojat e gjendjes civile, duke qenë se 2019-a është vit zgjedhor.

Deputeti socialist, Bashkim Fino tha se Ministria e Brendshme është pas me investimet. Fino tha se në rast se Ministria e Brendshme nuk ka marrë përsipër të planifikojë pagat e gardës, duhet ta ndërmarrë menjëherë, dhe se për të pasur një standard, sipas tij duhet bërë në mënyrë të menjëhershme një unifikim pagash.

Sekretari i Përgjithshëm i MB-së, Dritan Palnikaj iu përgjigj relatorit duke thënë se Ministria e Brendshme i ka realizuar 100% fondet për investime, veçse ende nuk janë kryer transaksionet në thesar. “Do t’i likujdojmë brenda 20 dhjetorit”, – deklaroi Palnikaj, duke shtuar se për pagat e gardës MB ka një projekt për t’i unifikuar shërbimet me Policinë dhe SHCBA-në. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.