Reformimi i inspektorateve, standardizim dhe dixhitalizim i proceseve

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/- Rregullorja e re e Inspektoratit Qendror synon jo vetëm standardizimin e proceseve të inspektimeve nga inspektoratet e ndryshme, por edhe dixhitalizimin e tyre, si dhe kryerjen e inspektimeve të bazuara në rrezik.

Kështu theksoi sot zv.kryeministrja Senida Mesi në prezantimin e “Rregullores së re të Inspektoratit Qendror për Përcaktimin e Procedurës së Inspektimeve si një Proces i Rregullt Administrativ”, para përfaqësuesve të dhomave të biznesit vendas dhe të huaj, ku ishte i pranishëm edhe kryeinspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari.

Zv/kryeministrja Mesi shprehet se “reforma në inspektorate, si pjesë e angazhimit të plotë të qeverisë shqiptare për reformimin tërësor dhe transformues të administratës publike, ka objektiv: rritjen e performancës së administratës publike; përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarit dhe biznesit, si dhe uljen e korrupsionit dhe rritjen e besimit të publikut”.

“Ne kemi qëllim që të kemi një trupë të inspektimit, që ka objektiv standardizimin dhe formalizimin e ekonomisë nëpërmjet këshillimit, lënies së detyrave e kontrollit të tyre dhe jo penalizimin e tyre”, u shpreh ajo.

Zëvendëskryeministrja Mesi u ndal tek reforma në inspektorate, si një reformë që është aktualisht në proces, duke e vendosur atë në spektrin e gjerë të reformave gjithëpërfshirëse të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare, e cila ka angazhimin e përkushtimin e plotë ndaj çdo qytetari, sipërmarrësi e partneri ndërkombëtar për të bërë një reformim tërësor dhe transformues të administratës publike.

“Falë kësaj, ne synojmë të rrisim performancën e administratës publike, të përmirësojmë shërbimet ndaj qytetarit e biznesit, si dhe të ulim korrupsionin e rrjedhimisht të rrisim besimin e publikut”, nënvizoi ajo.

Teksa takimi vazhdoi në formën e një bashkëbisedimi me përfaqësuesit e dhomave të tregtive të cilët ndanë opinionet e mendimet e tyre për ndryshime të mundshme ligjore, apo masa që nevojiten të merren në vijim për uljen e barrës ndaj çdo sipërmarrjeje.

Mesi kërkoi gjithashtu mbështetjen e biznesit në denoncimin e çdo praktike korruptive që cënon apo pengon zhvillimin e mëtejshëm të sipërmarrjes. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.