Projektet rinore, bashkëpunime të reja mes Kosovës dhe UNICEF

PRISHTINË, 6 nëntor /ATSH/ – Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot udhëheqësin e ri të zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin.

Ministri Gashi e uroi Sahin për pozicionin e ri si udhëheqës i zyrës së UNICEF-it në Kosovë dhe e falenderoi për gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar në realizimin e projekteve të përbashkëta për rininë.

Konkretisht në këtë takim u bisedua rreth vazhdimit të bashkëpunimit të MKRS-së dhe UNICEF-it në krijimin e platformës për njohjen e punës vullnetare.

“Në këtë platformë janë regjistruar mbi 3000 vullnetarë dhe afër 100 OJQ. Duke parë suksesin e platformës për vullnetarë është paraparë edhe një platformë për ekstremizmin dhe radikalizmin, ku dhënia e granteve do të jetë transparente”, tha Gashi.

Ndër të tjera ministri njoftoi udhëheqësin e UNICEF-it edhe për hapat që janë ndërmarrë nga ana e MKRS-së për përgatitjen e Strategjisë për Rini, draftin e së cilit tashmë MKRS e ka të përfunduar.

“Realizimi i projekteve të përbashkëta me UNICEF-in, konsiston edhe me politikat tona si Ministri dhe ky bashkëpunim ka sjell sukses në aktivizimin e rinisë. Përmes realizimit të projekteve të tilla, ne po përmbushim edhe zotimet tona për përfaqësim të interesave të rinisë së vendit”, theksoi ministri Gashi.

Në anën tjetër, udhëheqësi i ri i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, falenderoi ministrin Gashi për pritjen e tij. Ai u shpreh i gatshëm për të vazhduar punën e përbashkët në mënyrë që ky bashkëpunim të ndikojë në realizimin e projekteve në fuqizim të rinisë së Kosovës. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.