Kancelari i Austrisë, viziton sot Kosovën

PRISHTINË, 6 nëntor /ATSH/ – Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, mbërrin për vizitë në Kosovë.

Kurz do të pritet  në takime të ndara nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe nga Kryeministri Ramush Haradinaj.

Në 26 gusht 2018 në Vjenë,  Presidenti i Republikës se Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi një takim të përbashkët me Kancelarin austriak, Sebastian Kurz, Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Kancelari austriak, theksoi se Austria gjatë udhëheqjes së Presidencës së BE-së, prioritet kryesor do të ketë politikat e zgjerimit dhe të fqinjësisë së mirë, si dhe ato të sigurisë dhe migracionit.

Një çështje tjetër, e cila ishte fokus primar i këtij takimi, ishte edhe procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja.

Lidhur me këtë proces, kancelari Kurz inkurajoi të dy presidentët për të vazhduar përpjekjet e tyre për të arritur marrëveshje.

“Arritja e marrëveshjes është parakushti kryesor për anëtarësimin e dy shteteve në BE. Austria mbështet dialogun dhe arritjen e marrëveshjes, si dhe integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE”, theksoi Kurz.

Para ardhjes në Prishtinë Kancelari austriak Kurz qëndroi dje në Beograd, ku u prit edhe nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Në një takim me Kryeministrin Ramush Haradinaj në 10 korrik 2018 në Londër, Kancelari Kurz vlerësonte progresin e arritur në Kosovë, duke konfirmuar mbështetjen e Austrisë në proceset integruese.

Kancelari austriak po ashtu theksonte përkrahjen e plotë të shtetit të tij për Kosovën në zhvillim ekonomik, proceset integruese europiane dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. /b.j//e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.