BE mbështetje për restaurimin e Parkut Arkeologjik të Bylisit

75

TIRANË,6 nëntor /ATSH/ – Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca do mbështesë restaurimin e Parkut Arkeologjik të Bylisit si dhe projekte të tjera gjatë 2019.

Kjo u bë e ditur nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro gjatë takimit të zhvilluar me  ambasadorin e BE-se Soreca, ku u diskutua për bashkëpunime mes dy institucioneve.

“Takim shumë i mirë pune me ambasadorin e ri të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca.️ Kënaqësi është bashkëpunimi me ambasadorin napolitan që ka gjetur tek edukimi kulturor dhe te kultivimi i së bukurës forcën e mendjes për diplomacinë e drejtësinë ”, shprehet Kumbaro.

Ambasadori konfirmoi se BE do të investojë në këtë aset të rëndësishëm njësoj siç bëri edhe në Parkun e Apolonisë. Sipas ministres, restaurimi i trashëgimisë historike inkurajon turizmin kulturor dhe sjell përfitime të prekshme për popullsinë lokale dhe ekonominë e zonës.

 /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.