Vetingu, KPA shqyrton ankimimin e Komisionerit Publik për gjyqtarin Islamaj

TIRANË,5 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shpallur kalendarin e gjykimit të çështjes Edmond Islamaj me 12 nëntor, i cili do të përballet me ankimimin e paraqitur nga Komisioneri Publik, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e konfirmoi në detyrë.

Në kalendarin e KPA, thuhet se më datë 12.11.2018, ora 10:00, do të gjykohet në seancë publike çështja që i përket ankimimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj.

Trupi gjykues ​për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga: Kryesues: Luan Daci. Relator:   Sokol Çomo. Anëtarë: Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli vendimin 7 qershor 2018 për gjyqtarin Edmond Islamaj, duke e konfirmuar atë në detyrë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.