Oficerët e sigurisë, instrument për t’i mbajtur nxënësit larg veseve

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ – Krahas buxhetit të Ministrisë së Arsimit që rezervon një fond të veçantë 150 oficerëve të sigurisë në shkollat e mesme, ministria po bashkëpunon me donatorë dhe Ministrinë e Brendshme për të mundësuar një ambient sa më të sigurt edhe jashtë mureve të shkollës.

“Për problemin e sigurisë në shkolla, ky buxhet mundëson funksionimin e 150 punonjësve të sigurisë në shkollat për Arsimin e Mesëm të Përgjithshëm. Ne po bashkëpunojmë edhe me donatorë edhe me Ministrinë e Brendshme në mënyrë që alokimi i oficerëve të sigurisë jo vetëm të rrisë kushtet e sigurisë në shkolla por të mundësohet që të jetë një instrument i rëndësishëm edhe me komunitetin edhe me pushtetin vendor edhe me Komisariatin e Policisë në mënyrë që edhe shkolla jo vetëm brenda mureve të saj, por edhe në rrethin e dytë e të tretë të ofrojë siguri dhe larg gjithë veseve”, – tha ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla gjatë prezantimit në parim të pr/buxhetit të 2019 në komisionin e medias.

Ndërkaq, ajo solli në vëmendje edhe dyfishimin e numrit të mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuar, numër ky që ka shkuar në 700 këtë vit.

“Dyfishimi i mësuesve ndihmës që ka shkuar në 700 për fëmijët me aftësi të kufizuar por patjetër të krijojmë lehtësira të tjera që lidhen me shërbimin psiko-social duke mundësuar një psikolog dhe punonjës social për çdo 2.800, 3.500 nxënës”, – u shpreh ministrja.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.