Meta propozon Vitore Tushën si kandidate për kreun e KLSH

TIRANË, 5 nëntor/TSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka propozuar gjyqtaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha për t’u zgjedhur në pozicionin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), duke ja përcjellë këtë të fundit Kuvendit të Shqipërisë për votim.

Presidenti ka zgjedhur mes 34 kandidaturave ku mes tyre ishin edhe shumë akademikë të njohur, duke e cilësuar procesin si transparent dhe objektiv.

Sipas Presidentit, dr. e shkencave juridike Vitore Tusha, plotëson kushtet dhe kriteret ligjore, si dhe është kandidatura më e përshtatshme për t’u zgjedhur në këtë pozicion kushtetues, bazuar në eksperiencën solide dhe kontributin e pandërprerë të saj, në fushën e jurisprudencës, si në sistemin gjyqësor.

Presidenti i Republikës, vlerëson se Vitore Tusha, aktualisht anëtare në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, të cilës i ka mbaruar mandati në këtë funksion që prej datës 10 mars 2017, gëzon një integritet të lartë moral dhe profesional, e konfirmuar edhe në rrugë institucionale, pasi si subjekt i ligjit nr. 84/2016, ajo është konfirmuar në detyrë dhe ka kaluar me sukses dhe me vendim të formës së prerë, procesin e rivlerësimit kalimtar (Vettingun), për të gjithë komponentët e këtij procesi, duke krijuar bindjen se kandidatura e saj është e denjë për t’u zgjedhur si Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Duke zgjedhur një kandidaturë si znj. Tusha larg çdo angazhimi partiak në të kaluarën, Presidenti beson se kontribuon për garantimin e pavarësisë së këtij institucioni shumë të rëndësishëm kushtetues”, – thuhet në njoftimin e Presidencës. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.