Mesi është rikuperuar, grumbullohet të martën për “Inter”-“Barcelona”

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Lionel Mesi është grumbulluar me skuadrën katalanase dhe do  të jetë në Milano të martën në mbrëmje, për ndeshjen e “Ligës së Kampioneve” mes “Interit” dhe “Barcelonës”.

Por nuk dihet nëse do të aktivizohet apo jo, gjatë kësaj sfide. Do të jetë stafi mjekësor i “Barcelonës” që do të vendosë nëse Mesi do të luajë.

Ylli argjentinas u dëmtua në krah, në datën 20 tetor gjatë ndeshjes me “Seviljen” në kampionat.

Fillimisht diagnoza parashikonte që Mesi të qëndronte larg fushave, për të paktën 20 ditë. Por, argjentinasi filloi të stërvitej që javën e shkuar, duke thyer parashikimet e mjekëve.

Por kjo nuk do të thotë që Mesi do të luaj titullar, pasi trajneri Valeverde nuk mund të rrezikojë, duke parë edhe klasifikimin e “Barcelonës” e cila kryeson grupin e vetme me 9 pikë.

Fituesi i 5 topave të artë mund të luajë vetëm një pjesë duke e nisur ndeshjen nga stoli.

Më shumë detaje, do të zbulohen gjatë ditës, kur tekniku Valverde do të dalë në konferencë për mediet, dhe me shumë gjasa do të flasë për gjendjen fizike të Mesit. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.