FOTO/ 50 turistë drejt lartësive të Korabit

TIRANË, 5 Nëntor / ATSH / – Një grup prej 50 turistësh të organizuar nga “Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste” në SHBA, këtë fund javë ishin vizitorë në parkun natyror Korab-Koritnik, zona e Shishtavecit, Kukës.

Grupi u prit dhe u përshëndet edhe nga Prefekti i Qarkut Kukës, Zenel Kuçana. Pritja dhe prezantimi u bë në natyrë mbi urën e lumit Luma.

Kuçana i uroj mirëseardhjen vizitorëve dhe u foli për natyrën e bukur të kësaj zone.

Më pas grupi u shoqërua nga punonjës të AdZM dhe të Policisë Rrugore Kukës.

Deri në Shishtavec udhëtimi u bë me autobus, ndërsa nga Shishtaveci filloi ngjitja në këmbë në drejtim të “Gurit të Mëngjesit” e Kallabakut, pjesë e shtegut “High Scardus Trail”.

Larmia e peizazhit, bukuritë natyrore dhe mikpritja ishin një befasi e këndshme për gjithë grupin e veçanërisht për 6 turistët gjermanë që ishin pjesë e këtij grupi. Ata shprehën konsideratat e tyre befasuese për natyrën, mikpritjen dhe bujarinë vendase. Gjatë gjithë kohës punonjësit e AdZM Kukës, bënë shoqërimin e grupit dhe orientimin e tij në pikat e kalueshme dhe të sigurta dhe njëkohësisht informonin për vlerat e këtij parku natyror.

Në kthim të ngjitjes malore, turistët qëndruan në lokalet alpine ku konsumuan ushqimin bio të zonës e sidomos të frutave e të çajrave bimorë të këtyre lartësive.

Në kulmin e haresë e të gëzimit, kënduan e kërcyen valle të krahinave të ndryshme të Shqipërisë e Kosovës në një atmosferë të gëzuar, të hareshme e mjaft miqësore. Ata u larguan me përshtypjet më të mira dhe me premtimin për t’u rikthyer përsëri.  /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.