Drejtori i IZHA: 1500 mësues janë përfshirë në procesin reformues të gjimnazit

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ – Gerti Janaqi, Drejtori i Institutit të Zhvillimit të Arsimit, tha sot se për të realizuar “kurrikulën” e re për gjimnazet janë pyetur qindra profesorë, mësues,  nxënës dhe prindër.

Gjatë një aktivitet të organizuar sot në gjimnazin “Sami Frashëri” për reformën në gjimnaze ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Janaqi tha se “kemi krijuar një balancë mes shkencave natyrore dhe shkencave ekzakte. Rikthimi i filozofisë, gjuhës shqipe dhe ekonomisë, kanë bërë që balanca të jetë gati në perfeksion. 1500 mësues janë përfshirë në këtë proces reformues, për këtë “kurrikul” të re, 120 profesorë dhe 500 drejtore kanë marrë pjesë”.

Sipas drejtorit të IZHA, 5 kanë qenë arsyet përse u vendos të reformohej gjimnazi dhe “kurrikula”.

Janaqi tha se “plani mësimor i shkuar ishte ndër më të vjetrit në Europë. Ne dikur bënim 18 lëndë në vit, norma është deri në 12 lëndë në vit. Ne pyetëm 560 mësues, 760 prindër dhe po kaq nxënës, dhe përgjigjet kanë qenë që mbi 50 % e tyre thanë që duhet të ndërhyhet për të ndryshuar “kurrikulën” . /o.l/./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.