98% e nxënësve të nëntëvjeçares do vazhdojnë gjimnazin ose arsimin profesional

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/- Brenda dy viteve, Ministria e Arsimit parashikon që 98% e nxënësve që mbarojnë arsimin bazë, do të regjistrohen në një format e arsimit të mesëm, pra ose në gjimnaz, ose në arsimin profesional.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla gjatë prezantimit të pr/buxhetit të arsimit në komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, theksoi se arsimi gjithëpërfshirës dhe barazia në sistemin arsimor përbën një tregues të rëndësishëm që mat elementin e braktisjes shkollore.

“Ne parashikojmë edhe pse kemi praktikisht përqindjen më të ulët të braktisjes shkollore në masën  0,57%, ne synojmë që kjo braktisje të shkojë drejt zeros. Brenda 2 viteve parashikojmë që 98% e nxënësve që mbarojnë arsimin bazë do të regjistrohen në një format e arsimit të mesëm ose në arsimin profesional. Aktualisht, 65% do të ndjekin gjimnazin dhe 35% arsimin profesional. Ky është synimi që ne kemi në 2 vitet e ardhshme”, – tha Nikolla.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.