Shqipëria e agroturizmit, 8 modele suksesi në lenten e eksploratorëve të huaj

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ Nga veriu në jug, ekipi “Open Explorer” i “National Geographic” ka shijuar eksperiencat, natyrën dhe mikpritjen e fermave tradicionale shqiptare, si dhe bujtinat, në kërkimin e tyre për të frymëzuar njerëzit dhe vendet.

A është turizmi shqiptar i përgatitur për qëndrueshmëri? A ka një të ardhme të parashikueshme për një lloji turizmi që synon të mbrojë mjedisin, të shpërndajë përfitimet drejtpërdrejt tek njerëzit, si dhe të ketë një impakt pozitiv në shoqëri dhe për planetin si të tërë? Një ekip ndërkombëtar prej tre personash që punon me prodhimet mediatike vendosën që t’i përgjigjen këtyre pyetjeve nëpërmjet një udhëtimi disaditor nëpër Shqipëri që u publikua në kohë reale në platformën në internet “National Geographic”, “Open Explorer”.

Platforma “Open Explorer” është krijuar nga “National Geographic”, për të lidhur drejtpërdrejtë eksploratorët e të gjithë botës me një komunitet botëror dhe t’u mundësojë atyre të ndajnë eksperiencat e tyre me audiencën e “National Geographic”. Ekipi që ndan historinë e tij mbi turizmin e qëndrueshëm në Shqipëri përbëhet nga Cristina Angeles, Juan Carlos Rodarte dhe Erika Gilsdorf, të gjithë me eksperiencë në prodhimet mediatike.

Bujtina e Dallëndyshe dhe Petrit Merjos, Nivicë, Tepelenë

Ndalesa e tyre e parë ishte Nivica në Tepelenë, në bujtinën e Dallëndyshe dhe Petrit Merjo. Pasi u larguan nga fshati i tyre në fillim të viteve ’90, çifti u kthye për të transformuar shtëpitë e tyre të vjetra në bujtina. Në fakt, i gjithë fshati është përfshirë në lëvizjen për turizëm të qëndrueshëm në Shqipëri. Ky projekt synon që të drejtojë vëmendjen e turistëve në respektimin e natyrës dhe të jetës së fshatit.

Një prej anëtarëve të ekipit, Cristina Angeles, tregon se si Nivica i kujton gjyshen e saj që kishte jetuar dhe punuar në Meksiko, në kushte shumë të ngjashme si këto këtu. E magjepsur nga peizazhet të bukura dhe të thepisura të fshatit, Angeles pranon se asaj do i pëlqente të rikthehej një ditë, vite më vonë, për të parë se si ky fshat do të ketë arritur të ruajë autenticitetin, ndërkohë që hapet me botën.

Vaji i ullirit “Subashi”, Marikaj, Tiranë

Pasi ndali në jug të vendit, ekipi vazhdoi drejt Shqipërisë qendrore, ku patën mundësinë që të vizitojnë rafinerinë e vajit të ullirit “Subashi”. Të drejtuar nga Silvana Subashi, kjo është një prej historive më të famshme të suksesit në sipërmarrjen shqiptare. Pasi arriti një sukses lokal, vaji i ullirit 100% ekstra i virgjër “Subashi” eksportohet ndërkombëtarisht. Pemët e ullirit rreth 2000-vjeçare të kësaj zone janë ndër më antiket në Europë dhe vaji i ullirit që del nga ato ka një aromë speciale dhe në të gjithë zonën duket sikur koha ka ndalur dhe plotë përmbajtje shpirtërore, që vështirë ta gjesh diku tjetër.

“Mrizi i Zanave”, fshati Fishtë, Lezhë

Agroturizmi përfshin çdo aktivitet që ndërthur udhëtimet turistike me shërbimet e fermave lokale ose eksperiencat në fshat. Një prej rasteve më të suksesshme në Shqipëri është padyshim “Mrizi i Zanave” një restorant, vreshtari dhe resort me famë ndërkombëtare, që shërben kuzhinën e shijshme dhe autentike shqiptare të punuar nga kuzhinieri Altin Prenga. Që kur hapi dyert, ku vend duket se ka mobilizuar krejt fshatin Fishtë në Zadrimë, pasi fermerët furnizojnë vazhdimisht restorantin me produkte të freskëta.

Ferma “Devin”, fshati Qerret, Pukë

Na lamë pas Lezhën dhe lëvizëm në drejtim të Pukës ku, në fshatin Qerret, gjetëm “Devin”, një fermë tipike familjare që është kthyer në një sipërmarrje agroturizmi që pret vazhdimisht turistë. Aktivitetet këtu përfshijnë gjithçka, nga shëtitjet në fermë dhe ecjet me kalë, tek mbledhjet e frutave dhe perimeve. Por më e rëndësishmja është se do të keni mundësinë që të bëheni pjesë e familjes së Marie Shkjaut, me bashkëshortin dhe pesë vajzat e saj, që kontribuojnë në biznesin familjar.

Ferma e Anete dhe Dioniz Markut, fshati Ganjollë në Gurin e Zi, Shkodër

Një tjetër ndalim gjatë turit tonë është në fermën e Anete dhe Dioniz Markut, në fshatin Ganjollë në Gurin e Zi, në Shkodër. Pasi emigruan në Siçili, çifti mësoi atje si të zhvillojë një sipërmarrje të suksesshme agroturizmi. Më pas ata, pasi u kthyen në Shqipëri, aplikuan eksperiencën e fituar atje duke ngritur sipërmarrjen e tyre, një biznes që vërtetë e ka kthyer mikpritjen në art.

“Rruga e Mullirit”, Reç, Malësi e Madhe

Morëm një mikpritje po kaq të ngrohtë edhe tek “Rruga e Mullirit”, që ndodhet në rrëzë të “Pylli i Gështenjave” në Reç, Malësi e Madhe. Mirash Markaj, kryetari i shtëpisë, na ndihmoi që të mblidhnim gështenja, meqenëse ishte sezoni i tyre, ndërkohë që bashkëshortja e tij, Zina, filloi të pjekë bukë misri, të bërë nga mielli i misrit të freskët të fermës. Këtu, ashtu si në gjithë fermat e tjera, harron se ekziston diçka si pazari i ushqimeve, sepse gjithçka që të nevojitet është jashtë dritares tënde.

Kantina “Kopliku” në Koplik

Ne shkojmë drejt kantinës “Kopliku”, ndalesa e parafundit e këtij turi, që ndodhet vetëm 15 minuta me makinë nga fshati Reç, në Koplik. Një çift i qeshur, Shaqir dhe Afërdita Hysa, na pritën me shumë ngrohtësi. Pak para perëndimit të diellit, ata na shoqëruan në katin e dytë të punishtes së verës ku shijuam një gotë vere “Kallmet” (një varietet vendas shumë popullor) teksa vështronim vreshtat e bukura të kantinës dhe liqenin e Shkodrës. Më pas, shkuam për të parë nga afër një moment nga vjelja e rrushit.

“Agrotourizmi Shega”, Muriqan

Ndalesa e fundit është “Agrotourizmi Shega” në Muriqan. Ferma e Ahmetit të kujton Kopshtin e Edenit, një vend idilik ku njeriu humbet në atë çka ofron natyra. Familja Sylejmani na shërbeu lëng shege të freskët, cilësia më e mirë që kemi provuar, pse jo në lartësinë e vetë vendit. Na u desh shumë kohë për të gjetur shegët më të mira të fermës, të cilat i mblodhëm së bashku me frutat dhe perimet e tjera.

Mendimet e fundit

Të gjitha bujtinat kanë përqafuar më së miri modelin “Të mësojnë duke praktikuar”, i cili  i përfshin turistët në punët e fshatit dhe proceset e ndryshme të punës. Një tipar i përbashkët mes të gjitha fermave dhe bujtinave është bujaria e familjeve, për të cilat një vizitë të thjeshtë në fshat është një mundësi reale për të hyrë në miqësi me vendasit, për të njohur traditat, zakonet dhe rutinën e përditshme. Dhe, në fund të fundit, çfarë mund të kërkonte ndonjë turist tjetër, përveç bukurisë së natyrës alpine, ushqimit të shijshëm e të freskët dhe fytyrave miqësore?

Pas shijes që të lë kjo përvojë e ëmbël, ekipi i “Open Explorer” do të vazhdojë të vizitojë Malin e Zi. Erika Gildsorf, producentja e ekipit tregon sesi i gjithë udhëtimi ka qenë një zbulim mjaft i madh, për të cilin ndihet jashtëzakonisht krenare ta ndajë me një audiencë. Ajo u impresionua veçanërisht nga “përkushtimi i shqiptarëve në mbrojtjen e mjedisit të tyre dhe ruajtjen e origjinalitetit të tyre”, sipas Cristina dhe Juan Carlos, të cilët tani e konsiderojnë Shqipërinë si shtëpinë e dytë.

Nga një vend për të cilin ata nuk dinin pothuajse asgjë, Shqipëria doli se ishte diçka shumë më e madhe, sesa stereotipet që ata kishin hasur më parë. Natyra e paprekur nga dora a njeriut, historitë e vërteta për fermat dhe bujtinat u kthyen në histori suksesi të bizneseve të qëndrueshme, ngrohtësi dhe mikpritje autentike. Këto ishin të gjitha burime frymëzimi dhe eksperiencave të mbushura me emocione të cilat ekipi i përcolli live për “National Geographic”, “Open Explorer”. Qëndroni me ne, pasi këto histori autentike do të ndahen dhe diskutohen në kanale të ndryshme të medieve sociale në javët që vijnë! /G.S/ /s.m/

https://www.intoalbania.com/whats-hot/albanian-sustainable-tourism-through-the-national-geographic-lens/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.