Rikonceptimi i Muzeut Kombëtar, do rrëfejë historinë e qytetërimit

Rikonceptimi i Muzeut Kombëtar, do rrëfejë historinë e qytetërimit

Rikonceptimi i Muzeut Kombëtar, do rrëfejë historinë e qytetërimitRisitë dhe disa detaje mjaft interesante nga projekti jep në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani. "Projekti do të përfundojë në dhjetor të vitit 2018 i cili do të sjellë një imazh krejtësisht të ri për Muzeun Historik Kombëtar”, theksoi Dollani.http://ata.gov.al/2018/11/04/rikonceptimi-i-muzeut-kombetar-do-rrefeje-historine-e-qyteterimit/

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E diel, 4 Nëntor 2018

TIRANË,4 nëntor /ATSH A.ALLA/ – Muzeu Historik Kombëtar i cili u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeal më i madh në Shqipëri do t’i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë duke sjellë itinerare të reja muzeore.

Grupi i ekspertëve ka intensifikuar punën për përgatitjen e projektit të rehabilitimit të muzeut.

Puna për projektin do vijojë deri në përgatitjen e variantit përfundimtar, ku grupi i i punës po pasurohet me ide dhe këshilla, ku sfida më e madhe është që muzeu të mos jetë një fasadë.

Risitë dhe disa detaje mjaft interesante nga projekti jep në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani.

“Puna për Muzeun Historik Kombëtar dhe për Galerinë Kombëtare të Arteve ka vite që ka nisur pasi janë dy projekte madhore të ministrisë së Kulturës. Për këtë arsye kemi ngritur një grup pune i cili ka nisur punën prej një viti e gjysëm me hartimin e termave të referencës dhe është ngritur një draft platformë e cila do të bëhet e ditur për publikun në mes të muajit nëntor. Projekti do të përfundojë në dhjetor të vitit 2018 i cili do të sjellë një imazh krejtësisht të ri për Muzeun Historik Kombëtar”, theksoi Dollani.

”Do të kryhet rikonstruksioni i tij pra ky muze do të qëndrojë po ai që është por do të ketë një program tjetër funksional pra do të shtohet programacioni i këtij muzeu duke futur dhe funksione të tjera social-kulturore”, tha Dollani.

Sfida e dytë e rikonstruksionit të këtij muzeu, sipas saj, është ajo e grupit të ekspertëve të arkeologjisë dhe historisë mbi rrëfimtarinë dhe platforma e ekspozitës së këtij muzeu, pra mënyra sesi do të tregohet historia, ngjarjet kryesore në të. “Pra do të jetë më tepër një muze i qytetërimit”, theksoi Dollani. “Gjithashtu do të ofrohet dhe një mënyrë e re e tregimit të historisë duke nisur që nga pritja në holl. Pra, do ofrohen objekte me teknologji bashkëkohore, do të ketë një recepsion komplet të ri dhe një platformë në të cilin njerëzit do gjejnë atë për të cilën ata janë të interesuar, nëse duan të thellohen më tepër në pavijone të caktuara por njëkohësisht të kenë mundësinë të bëjnë një itinerar më të shkurtër”, tha ajo.

”Ajo çka është shumë e rëndësishme është elementi i edukimit, pra ky muze do duhet të ekspozojë atë çka ofron për grupmosha të ndryshme në mënyrë të kuptueshme”, përfundoi drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës Arta Dollani. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.