Britani e Madhe, kufizime drastike të reklamave të lojërave të fatit, shkaktojnë varësi të lartë

LONDËR, 4 nëntor /ATSH/ – Gjiganti i industrisë televizive, britaniku “Sky” do të ulë në mënyrë drastike reklamat në lidhje me lojërat e fatit pas rritjes së shqetësimeve për varësi dhe të peshës që po zënë bastet në sport.

Kjo lëvizje shton edhe më shumë presionin mbi industrinë e lojërave të fatit, e cila po përballet me masa të ashpra qeveritare.

Kufizimet e vetë-imponuara të reklamave pritet që “Sky”-t t’i kushtojnë me dhjetëra miliona paund të ardhura në vit. Bastet sportive në Britani llogariten rreth 200 milionë paund në vit nga reklamat televizive dhe nga këto “Sky” kontrollon thuajse gjysmën e tregut.

Duke filluar nga viti 2020 “Sky” do të mundësojë gjithashtu, falë teknologjisë, që shikuesit të mund të eliminojnë reklamat e lojërave të fatit.

Madje sipas komisionit të lojërave të fatit një në 10 fëmijë që përdor rrjetet sociale ndjek profile të lojërave të fatit.

Steven van Rooyen, shefi ekzekutiv i “Sky” britanik tha se, “ndërsa rregulloret e kanë bërë televizionin një vend më të sigurt, ekziston ende rrezik real në internet dhe kjo do të zgjasë deri sa platformat në internet të kenë rregulla po aq strikte sa televizionet”. /G.S/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.