PHENIAN – Koreja e Veriut kërkon heqjen e sanksioneve amerikane

PHENIAN, 3 nëntor /ATSH-ANSA/ – Koreja e Veriut kërcënoi se do të rikthejë në jetë një politikë shtetërore që synon fuqizimin e arsenalit të saj bërthamor, nëse SHBA-ja nuk heq sanksionet ekonomike ndaj  vendit.

Deklarata erdhi nga ministri i Jashtëm koreano-verior, mbrëmjen e së premtes. Ai tha se Koreja e Veriut mund të rikthehet të punojë paralelisht për avancimin e forcës bërthamore dhe zhvillimit ekonomik, nëse SHBA-ja nuk do të ndryshonte qëndrim.

Pheniani nuk kërcënoi me tërheqje nga negociatat aktuale bërthamore me SHBA-në, por akuzoi Uashingtonin se po anashkalon angazhimet e marra nga udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong-un dhe presidenti Donald Trump, në takimin e tyre të qershorit në Singapor, për një gadishull Korean pa armë bërthamore.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka njoftuar se planifikon javën e ardhshme të bisedojë me homologun e tij koreano-verior. / /v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.