Manual Etike për ofrimin e shërbimeve publike në sportele

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Në çdo Drejtori Rajonale Tatimore operojnë zyrat e Shërbimit të Tatimpaguesve, që ofrojnë shërbime për tatimpaguesit, në rrugë elektronike, apo në sportel.

Tashmë, bazuar edhe në VKM nr. 625, dt. 26.10.2018, të gjitha këto zyra do të operojnë sipas një manuali të ri etike, të unifikuar, për të gjithë punonjësit që ofrojnë shërbime publike.

Manuali i Etikës në ofrimin e shërbimeve publike është një përmbledhje tërësore e vlerave dhe parimeve, të cilat duhet të udhëheqin punonjësit në punën e tyre të përditshme.

Manuali ka si qëllim të shërbejë si udhëzues, lidhur me veprimet e punonjësve gjatë ofrimit të shërbimeve publike.

Gjithashtu në të përcaktohen edhe parimet e përgjithshme të etikës dhe sjelljes që zbatohen në marrëdhëniet ndërmjet të gjitha niveleve të punëmarrësve, si dhe ndërmjet punëmarrësve dhe qytetarëve me të cilët kanë marrëdhëniet administrative.

Lehtësimi dhe efikasiteti i komunikimit me tatimpaguesit dhe biznesin është në fokusin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe një nga objektivat prioritarë të saj./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.