Vlora dhe Dolji në Rumani, bashkëpunim në kuadër të programeve europiane

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Qarku i Vlorës dhe qarku Dolj në Rumani do të bashkëpunojnë në kuadër të programeve europiane.

KJo u konfirmua gjatë takimit të kryetarit të këshillit të qarkut Vlorë, Ervis Moçka me  kryetarin e qarkut Dolj, Ion Prioteasa.

Qarku Dolj ofron një eksperiencë të gjatë dhe pozitive në aspektin e hartimit dhe zbatimit të projekteve me fonde të BE-së, ndaj në këtë aspekt u diskutua edhe mundësia e ndarjes së kësaj eksperience midis stafeve respektive teknike, përveç mundësive të bashkëpunimit në projekte të përbashkëta.

Në kuadër të bashkëpunimit institucional si dhe promovimit të potencialeve të territorit të qarkut Vlorë, kryetari i këshillit të qarkut Vlorë, Ervis Moçka mori pjesë edhe në aktivitetet e organizuara nga shoqata “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë”, me tematikë “Rruga Europiane midis Craiovas dhe Vlorës”, organizuar nga deputeti i qarkut Vlorë, Fate Velaj.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.